“Ende nuk kemi arritur askund, jemi në ndjekje të objektivave tanë. Rruga është ende e gjatë. Pas ndeshjes me Udinesen do të mendojmë për sfidat e tjera, pa u nxituar. Mund të shkojmë deri në fund në të gjitha garat, të gjithë po ëndërrojmë madhështinë. Nuk do të jetë e lehtë, sepse të gjithë duan ta fitojnë kampionatin, Kupën e Italisë dhe Champions League, por duke vazhduar kështu mund të arrijmë aty ku duam”.
Henrikh Mkhitaryan e shprehu kështu besimin e tij për fundin e sezonit të Interit. “Nuk ka qenë kurrë e lehtë të luash kundër Udineses, as në shtëpi dhe as jashtë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse është një skuadër fizike, e fortë si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm, – shtoi armeni për “Sky”, duke folur mbi sfidën e së dielës në “San Siro”. – Inzaghi është përmirësuar jashtëzakonisht shumë në këto dy vite dhe ende dëshiron të mësojë. Po bën një punë të shkëlqyer, e meriton vendin ku është tani”.
Sa i përket të ardhmes së tij, mesfushori armen tha: “Në fund të sezonit do të shohim nëse do të vazhdoj edhe për një vit apo do të largohem. Nuk kam vendosur ende, edhe pse jam i lumtur këtu dhe do të doja të vazhdoja. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Do të më pëlqente të rinovoja deri më 2027, por varet edhe nga trupi im, nëse do të jem në gjendje ta menaxhoj mirë veten, duke ruajtur nivelin që po tregoj”.







