Prokuroria kërkon 15 vite e gjysmë burg për ish-presidentin e RFEF, Ángel Maria Villar

27 Mars 2025
10:45
Alfred Lleshi
back button

Prokuroria ka kërkuar 15 vite e gjysmë burg për ish-presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), Ángel María Villar, për korrupsion të dyshuar në rastin “Soule”, teksa është hetuar dhënia e kontratave midis viteve 2007 dhe 2017, të cilat dyshohet se i kanë shkaktuar institucionit një dëm prej 4.5 milionë eurosh.

Prokuroria kundër korrupsionit ka paraqitur aktakuzën e saj kundër 8 personave të përfshirë në këtë çështje, ndër të cilët është edhe Gorka Villar, djali i ish-presidentit, për të cilin kërkohet një dënim prej 7 vitesh burg.

Villar, i cili kaloi disa ditë në paraburgim për këtë çështje, akuzohet për menaxhim të keq, korrupsion në biznes dhe përvetësim të fondeve, në bashkim me krimin e vazhdueshëm të falsifikimit të dokumenteve tregtare. Përveç dënimit me burg, prokuroria kërkon që ai të gjobitet me afërsisht 1 milion euro.

Në këtë rast është i akuzuar edhe ish-nënkryetari i RFEF, Juan Padrón, për të cilin kërkohet një dënim prej 6 vite e gjysmë burg.

Çështja “Soule”, e hapur në Gjykatën Kombëtare në vitin 2017, kur Villar ende drejtonte RFEF (1988-2017), ka hetuar nëse ai dhe Padrón kanë keqpërdorur pozitat e tyre midis viteve 2007 dhe 2017, duke favorizuar persona të afërt përmes dhënies së kontratave. Një pjesë e këtyre kontratave përfshinin organizimin e ndeshjeve të kombëtares, nga të cilat përfitues kryesor dyshohet të ketë qenë djali i Villar.

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit