“Patjetër, është një emocion i madh të jem pjesë e Botërorit për Klube, do të jetë një Olimpiadë e vogël e futbollit. Jemi krenarë për garimin në këtë kompeticion”. Simone Inzaghi, i intervistuar nga Dazn, u shpreh kështu për kompeticionin e ri të FIFA-s, që në verë do të ketë si protagoniste edhe skuadrën e tij, Interin:
“Nuk ishte e thjeshtë të arrinim deri këtu, pas rrugëtimit që kemi bërë vit pas viti në Ligën e Kampionëve. Do të përpiqemi të arrijmë atje sa më mirë të mundemi. Janë 32 skuadra nga 5 kontinente të ndryshme, do të jetë diçka e re për të gjithë. E dinim për këtë kompeticion që në fillim të sezonit, ndaj bëmë gjithçka për të bërë një përgatitje sa më të thelluar.
Synimi është për të arritur sa më të gatshëm në Botërorin e Klubeve dhe lartësuar emrin e Interit nëpër botë. Do të jetë një aventurë e re, e dimë se ku do të luajmë. Do të kemi një ndeshje në Los Angeles dhe pastaj dy të tjera në Seattle. Do të jenë ndeshje të bukura kundër kundërshtarëve të rëndësishëm. Ndaj River Plate kam luajtur vetëm në miqësore, kur isha lojtar te Lazio, dhe kam shënuar një gol, ndërsa dy rivalët e tjerë nuk i kam sfiduar kurrë.
Do të jetë emocion i madh. River Plate është një skuadër shumë e fortë, trajneri i tyre është shumë i përgatitur, ka lojtarë cilësorë. River Plate ka edhe Colidio, një djalë që ka bërë përgatitje këtu me mua. Do të jetë e vështirë. Do të ketë shumë tifozë meksikanë, por jam i sigurt që do të kemi me vete edhe tifozët tanë”.
Cilat do të jenë ambiciet tuaja?
Ne e dimë që Interi gjithmonë synon maksimumin, pastaj do të ketë kundërshtarë shumë të fortë, me të njëjtën ambicie. Duam të bëjmë mirë që nga ndeshja e parë, ndonëse e dimë që do të jetë fundi i sezonit. Do të jemi diku te 60-65 ndeshje, por duam t’i nderojmë ato sa më shumë që të mundemi. Pse duhet të triumfojë Interi? Sepse ka një histori të madhe, ka qenë gjithmonë i përbërë nga kampionë, si dikur, ashtu edhe sot. Ka një atmosferë të madhe përreth këtij klubi.
Një ish-lojtar i Interit që do ta dëshironit në ekip…
Ka shumë, por mendoj për Zanetti. E kemi këtu në drejtim, është një lojtar që ka bërë histori tek Interi dhe në Argjentinë. Jemi vërtet të kënaqur që e kemi. Një ish-lojtar të Los Angeles? Do të thoja Chiellini, jemi takuar shumë herë në fushë, gjithmonë ka qenë një kundërshtar i ndershëm. E di që ka fituar titullin atje, ka pasur një përvojë të madhe jete. NBA? Kur mundem, e ndjek edhe basketbollin. NBA, natyrisht e ndjek me shumë dashuri. Kam admirim për Curry, sepse është një kampion i madh. SHBA? Kam qenë në Los Angeles me familjen time, kam kaluar mjaft mirë, sepse është një qytet i madh që të ofron shumë. Nuk kam qenë kurrë në Miami, kam shkuar në Bahamas në udhëtim me gruan. Duhej të transferoheshim në Miami ditët e fundit, por ajo u sëmur dhe u kthyem në Itali.
Rritja juaj tek Interi ka qenë e vazhdueshme…
Kam kaluar shumë mirë. Këto 4 vite kanë qenë shumë të ngarkuara, por jam i kënaqur me atë që skuadra ka arritur çdo ditë. Kam fatin të kem lojtarë shumë profesionalë, që gjithmonë më ndjekin mua dhe stafin. E kemi filluar në një mënyrë të caktuar duke fituar titujt kombëtarë, pastaj ka ardhur finalja e Stambollit, e cila ka qenë një arsye e madhe krenarie. Në të mund të kishim arritur më shumë, por ishim përballë Manchester City. Pastaj ka ardhur titulli i yllit të dytë, duam të vazhdojmë të sjellim edhe shumë kënaqësi për klubin e njerëzit. Kam pasur fatin të luaj shumë herë në Ligën e Kampionëve si lojtar, kam arritur deri në çerekfinale. Është një kompeticion shumë i madh, që shikohet në të gjithë botën. Botërorin për Klube nuk kam mundur ta luaj si lojtar, por do ta provoj si trajner, kështu që ka një emocion të madh brenda meje.
Futbolli mund të ndihmojë në bashkimin e popujve…
Futbolli është një aktivitet bashkues, bashkon kultura të ndryshme dhe kontinente të ndryshme. Botërori është dëshmi e këtij fakti, do të jetë një kompeticion që do të bashkojë shumë kultura. Tek Interi kemi lojtarë nga kombësi të ndryshme, secili me zakonet e tij. Duke qenë një sport ekipor, në futboll ka rregulla që të gjithë i respektojnë.
Cili është pozicioni juaj mbi temën e racizmit?
Kur nevojitet për të bërë diçka, unë gjithmonë jam shumë aktiv. Edhe në Itali ka pasur momente kur është folur shumë mbi racizmin, kam qenë gjithmonë ndër të parët që kam shprehur se nuk duhet të ekzistojë. Në vitin 2025 nuk ka asnjë arsye që të ekzistojë racizmi. Futbolli ka bërë shumë në këtë drejtim, edhe pse kemi parë disa ndeshje që janë ndalur. Kohët e fundit nuk kam parë asnjë formë racizmi në Serie A dhe për këtë jam i kënaqur, sepse po bëhet një hap përpara nga të gjithë. Tifozët? Ata janë pjesë shumë e rëndësishme e futbollit. Tek Interi kemi shumë tifozë që e ndjekin skuadrën me entuziazëm. Gjithmonë kam parë sjellje të shkëlqyera nga ana e tyre.







