Ansu Fati përfundoi sezonin në formë huazimi te Brighton dhe është gati të rikthehet te Barcelona. Në një intervistë për “Mundo Deportivo”, anësori sulmues foli për veten, duke nisur nga eksperienca e tij e fundit në Premier League: “Është një kampionat shumë intensiv, super kërkues. Çdo ekip mund t’ju mundë në çdo ndeshje. Mësova shumë gjëra nga shokët e mi të skuadrës dhe klubi anglez. Ishte hera e parë që u largova nga Spanja, një eksperiencë shumë e bukur, në një nga ligat më të mira në botë”.
Çfarë mësuat nga kjo përvojë?
Të luash në një kampionat si Premier League të bën të përmirësohesh nga çdo këndvështrim. Është një kampionat shumë kërkues dhe fizik, kam takuar njerëz të rinj dhe mënyra të reja pune. Kam marrë shumë mësime.
A keni bërë miq në dhomën e zhveshjes së Brighton?
Jam pak i turpshëm, por më pëlqen të bashkëveproj me shokët e skuadrës. Kam krijuar një marrëdhënie të shkëlqyer me ta. Ka pasur ditë që nuk stërviteshim, por përsëri takoheshim për të bërë aktivitete ose për të ngrënë bashkë. Ishte një përvojë e bukur.
Çfarë ju ka munguar më shumë nga Barcelona?
Pak nga të gjitha. Pas shumë vitesh të jetuara këtu, në fillim ishte e komplikuar, edhe pse më pas u përshtata. Më mungonte veçanërisht familja ime dhe vëllai im i vogël, të cilin nuk mund ta shihja shumë, sepse duhej të studionte. Më mungonin edhe miq, që kaloja shumë kohë me ta kur isha këtu, pa diskutim e qeshura e nënës sime (qesh).
Cilat janë ëndrrat tuaja?
E njëjta gjë, si gjithmonë. Që kur erdha këtu, kur isha 10 vjeç, ëndrra ime ka qenë të jem në gjendje të përmbush veten te Barça. Këto vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta, por është pjesë e futbollit. Unë jam 21 vjeç dhe duhet të vazhdoj të rritem. Kam shpresën të jem në gjendje t’iu kthej të gjithë dashurinë që marr tifozëve katalanas. Çdo ditë në rrugë takoj njerëz që më inkurajojnë dhe vazhdojnë të më duan këtu. Kjo më motivon dhe më shtyn të vazhdoj të luftoj për këtë klub dhe të jap më të mirën time.