Në faqen e parë të “Corriere della Sera” nuk ka asnjë referencë për futbollin, por brenda edicionit të sotëm, gazeta në fjalë ndalet tek Interi, që është ende në garë në të tria kompeticionet: Serie A (ku mban vendin e parë me 3 pikë avantazh ndaj Napolit), në Ligën e Kampionëve (javën tjetër vjen ndeshja e parë çerekfinale ndaj Bayern Munich) dhe në Kupën e Italisë (barazim 1-1 në gjysmëfinalen e parë kundër Milanit).
“Interi ka ende një vend mes katërshes së ‘tripletës’, por rruga është krejtësisht e pjerrët (malore), – titullon gazeta italiane, duke shtuar: – Inzaghi mund t’i fitojë të gjitha, por mes ngjeshjes së kalendarit dhe dëmtimeve nuk mund të lejojë asnjë gabim”.
“Katërshja e tripletës” për të cilën flet “Corsera” përfshin katër skuadrat që këtë sezon janë ende në garë për të fituar të tre trofetë kryesorë; objektiv që Interi e arriti më 2010. Krahas zikaltërve, në këtë listë janë edhe PSG (që s’ka fituar kurrë një Champions, por ka në stol Luis Enrique, autor i tripletës me Barcelonën më 2015), si edhe dy klubet spanjolle: Barcelona e Real Madridi. Katalanasit dhe madrilenët po luftojnë për titullin në La Liga (me Barçën që ka 3 pikë avantazh) dhe janë kualifikuar gjithashtu për “El Clasico” e Kupës së Mbretit, finale e 26 prillit.
Gazeta italiane thekson: “Mes katër skuadrave pretendente për tripletë, asnjëra nuk do ta ketë të lehtë në Champions, aq më pak Interi, i cili ka vetëm një avantazh: ndeshjen e kthimit në shtëpi ndaj bavarezëve”.







