Qëndron tek Atlético Madridi, rinovon deri më 2027. Griezmann nuk shkon në MLS

18 Prill 2025
9:41
Alfred Lleshi
back button

Antoine Griezmann do të vazhdojë aventurën e tij me Atlético Madridin. Pavarësisht zërave që e shihnin drejt MLS-së, veçanërisht te Los Angeles FC, francezi ka vendosur të qëndrojë me fanellën “rojiblanco” edhe sezonin e ardhshëm.

Sipas asaj që raporton “Relevo” dhe konfirmohet nga “Mundo Deportivo”, Griezmann do ta rinovojë kontratën deri në qershor 2027, duke e shtyrë edhe një vit marrëveshjen aktuale, që skadonte më 2026.

Ky vendim është marrë për arsye personale dhe falë mbështetjes së trajnerit Diego Simeone, i cili nuk ka ndaluar asnjëherë ta aktivizojë, edhe pse Griezmann ka kaluar një periudhë me rënie forme (14 ndeshje pa shënuar).

“Cholo” ka insistuar për qëndrimin e tij dhe francezi, i vetëdijshëm për rëndësinë që ka në dhomat e zhveshjes, ka pranuar edhe ulje rroge. Pagat e tij prej 8 milionë euro neto do të shpërndahen në dy sezone për të ndihmuar balancat financiare të klubit, siç ka ndodhur më parë me Vitolo dhe Joao Félix.

Me këtë rinovim, Atlético Madridi mund të bazohet ende te lideri i vet teknik dhe simboli i skuadrës, duke shmangur nevojën për të blerë dy sulmues të rinj, skenar që do të ishte i pashmangshëm nëse do të largoheshin si Griezmann, ashtu edhe Correa. Tifozët “colchoneros” shpresojnë tani që “Le petit diable” të rikthehet të jetë ai lojtari shpërthyes që kanë admiruar ndër vite.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit