Papa Leo XIV, i zgjedhur vetëm pak kohë më parë në krye të Vatikanit, është një person i apasionuar pas tenisit. Gjatë një takimi me mediat, atij iu kërkua që të organizojë një ndeshje bamirësie tenisi për Shoqëritë e Misionit Papnor.
Kreu i Vatikanit e mirëpriti këtë ide: “Sigurisht që është një ide e mirë“, u përgjigj Papa. Më tej, një gazetar i tha se do të negocionte që në këtë ndeshje bamirësie të vinte një legjendë e tenisit si Andre Agassi.
Papa Prevost (emri i tij i vërtetë) deklaroi se ishte gati, duke shtuar: “Mjafton që të mos sillni Jannik Sinner“, referuar tenistit italian, që aktualisht është numri 1 në botë për meshkuj.
Edhe tenisti italian e ka pranuar këtë ftesë, duke u shprehur: “Të luaj me Papën? Pse duhet të më vini në vështirësi me një përgjigje të tillë të lehtë“.
“Kam dëgjuar që Papa ka luajtur këtë sport kur ka qenë i vogël dhe për ne tenistët është një gjë e bukur të dimë se Papës i pëlqen sporti ynë. Do të shohim për të ardhmen”, shtoi Sinner, që aktualisht po luan në turneun Masters të Romës.






