“Më befasoi shumë fakti që Ancelotti u bë trajneri i ri i Brazilit. Mendova se ai do të vazhdonte në një ekip klubi, ndaj jam shumë i befasuar”.
Kështu e komenton Alessandro Costacurta, mbrojtës historik i Milan dhe mbështetës besnik i Carlo Ancelotti vendimin e trajnerit italian për të marrë drejtimin e Brazilit.
“Kjo nuk do të thotë se nuk jam i lumtur për Carlo, pasi është një eksperiencë e bujshme me kombëtaren më ikonike në botë, për ta rikthyer atë në nivelin më të lartë“, shtoi Costacurta.
Më tej, ish-mbrojtësi tha: “Ai ka aftësinë, falë mentalitetit të tij, që gjithmonë t’i bëjë lojtarët e tij të performojnë më të mirën. Ai është një trajner që pas mbërritjes, edhe nga një situatë më pak pozitive, arrin të nxjerrë më të mirën. Besoj se kjo është forca e tij dhe Brazili e zgjodhi atë për këtë arsye“.
“Real të lodh kur nuk fiton, edhe nëse ke pasur një sezon të jashtëzakonshëm vetëm 12 muaj më parë. Ndoshta lojtarët kishin nevojë për motivim të ri. Mendoj se kjo lamtumirë erdhi në momentin më të mirë edhe për të“, tha Costacurta.
“Ai është konsideruar gjithmonë menaxher, por në realitet është një takticien i madh dhe kjo është e nënvlerësuar. Jam kurioz të shoh se me çfarë sistemi do të bëjë që ato fenomene të luajnë”, përfundoi ai.







