Evra shpë*then ndaj Sir Alex Ferguson: Po ta bënte sot trajnerin, do të përfundonte në burg

15 Maj 2025
8:58
Alfred Lleshi
back button

Patrice Evra nuk i kurseu aspak fjalët ndaj Sir Alex Ferguson. Ish-trajneri legjendar i Manchester United, i cili fitoi 38 trofe gjatë 27 viteve në stolin e “Djajve të Kuq”, është ende sot një figurë ikonike e klubit, ku edhe vetë francezi ka luajtur nën drejtimin e tij. Në një intervistë për podcastin SDS, Evra tha:

“Po të drejtonte Fergusoni sot, me shumë mundësi do të përfundonte në burg. Nuk ka asnjë mënyrë që të mos ndodhte kjo me atë që bënte. Kam parë sa e sa lojtarë të qanin, sepse i shante rëndë, i godiste me këpucë… Ishte i lig”.

Duke përmendur incidentin e famshëm me David Beckham, të cilit Ferguson i shkaktoi një prerje mbi sy, Evra rrëfeu edhe një episod nga miqësorja e zhvilluar në Arabinë Saudite: “Rooney ia dha topin Welbeck, por ai gaboi penalltinë. E humbëm ndeshjen, por ishte thjesht një miqësore prej 45 minutash. Kur u kthyem në dhomat e zhveshjes, Ferguson bërtiste: Welbeck!

Unë dhe Welbeck ishim në tualet, ai po kryente nevojat, por Ferguson kishte filluar të bërtiste. Kur hyri, i tha: Kush dreqin mendon se je ti? Sapo je futur në ekipin e parë dhe merr përsipër të gjuash penalltinë. Ndërhyra unë dhe i thashë: Mister, është vetëm një miqësore. Ai m’u kthye: Të q**** miqësoren”.

Ish-lojtari i Juventusit vazhdoi me një tjetër rrëfim tronditës: “Në vitin 2011 luanim kundër Liverpool-it në ‘Anfield’. Jamie Carragher bëri një faull të tmerrshëm ndaj Nani, por arbitri nuk e nxori me të kuqe. Ne të gjithë i shkuam arbitrit për ta mbrojtur shokun e skuadrës, që kishte një plagë të thellë në këmbë dhe u largua me barrelë.

Kur u kthyem në dhomat e zhveshjes dhe e pamë Nani duke qarë, disa nga shokët e skuadrës nuk u interesuan më. Më kujtohet që Scholes tha: Q****. Ferguson shtoi: Shpresoj të kesh thyer këmbën, një lojtar i Manchester United nuk qan në ‘Anfield’. Ishim njerëz të këqinj.

Dua të kërkoj falje për të gjithë të rinjtë që stërviteshin me ne, sepse ishim kafshë. Pas ndeshjes, mezi prisnim ditën tjetër për ta ‘kryqëzuar’ Nani. Nëse qaje apo derdhje gjak, nuk ishe më pjesë e jona.

Ferguson i dha një javë pushim vetëm që të shërohej nga ajo ndërhyrje, sepse ne prisnim për ta ‘mbytur’. Edhe sot, në grupin e WhatsApp të Manchester United, shpesh qarkullojmë atë foto të Nani duke qarë në ‘Anfield’, ku kjo gjë ishte e ndaluar sipas trajnerit tonë, Ferguson”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit