Vicente del Bosque ka komentuar largimin e Carlo Ancelottit nga Real Madridi. Ish-trajneri i kombëtares spanjolle ka lavdëruar kolegun italian dhe ka parashikuar se “do të jetë e vështirë për këdo që do të vijë pas tij” që t’i përmirësojë rezultatet dhe mënyrën si ai e ka menaxhuar skuadrën e bardhë.
Sipas Del Bosque, Ancelotti ka qenë “shembull i njohurive futbollistike dhe, mbi të gjitha, i një dhome zhveshjeje të koordinuar mirë. Dhe ia ka dalë përmes një rruge fantastike. Do të jetë e vështirë për këdo që do të vijë pas tij”.
Tani vjen ekepsrienca në stolin e kombëtares së Brazilit për italianin: “Një skuadër dhe një kombëtare kanë disa gjëra të përbashkëta. Në jetën e përditshme, ke më shumë kontakte me lojtarët e skuadrës dhe më pak me ata të kombëtares, por në fund të fundit, Ancelotti është një trajner i besueshëm për lojtarët”.
Del Bosque foli gjithashtu për anësorin e Barcelonës, Lamine Yamal, duke theksuar se, pavarësisht moshës së re, “po tregon një sjellje të jashtëzakonshme si futbollist dhe edhe si person”.
Kur u pyet nëse Yamal do të kishte qenë titullar në kombëtaren spanjolle që fitoi Kupën e Botës në vitin 2010 nën drejtimin e tij, Del Bosque u përgjigj: “Ka luajtur shumë mirë me skuadrën që fitoi Europianin. Do të kishte qenë një lojtar i rëndësishëm, nuk kam asnjë dyshim, edhe në moshën 17-vjeçare”.







