Një dëmtim i meniskut dhe vetëm 599 minuta këtë sezon sigurisht që nuk janë një “jelek shpëtimi” për David Alaba, një nga mungesat e mëdha të Real Madrid. Mungesa e tij krijoi vështirësi të shumta për Ancelotti.
Mbrojtësi 32-vjeçar austriak, i cili është rrënuar nga dëmtimet për një vit e gjysmë, si këputje e ligamentit kryqëzor, probleme me aduktorët, çarje e meniskut etj., dëshiron të takojë trajnerin e ri Xabi Alonso.
Një nga arsyet është lajmi për blerjen e Dean Huijsen, një mbrojtës shumë i ri spanjoll, i cili vjen nga Bournemouth për shumën 58 milionë euro. Me ardhjen e tij, Alaba e gjen veten me një konkurrent më shumë në rolin e qendërmbrojtësit.
Sipas “Sky Sports”, Real Madrid nuk duket se po shtyn për shitjen e Alaba, që ka një kontratë me “los blancos” deri në vitin 2026. Dhe ai vetë do të dëshironte të qëndronte, në kundërshtim me interesin e shfaqur nga Arabia Saudite (klubi nuk dihet ende).







