Arne Slot sot ka të gjitha argumentet për të kërkuar revolucion në merkato. Po e bën. Arsyeja është e thjeshtë. Ai trashëgoi një grup lojtarësh nga Jurgen Klopp dhe nuk kërkoi qiqra në hell në merkaton e verës së shkuar.
Trajneri holandez pranoi të përballojë një sezon të plotë me lojtarët e Klopp. Fitoi. Ia doli. Ai sot është kampion Anglie.
Liverpool i ka dëgjuar kërkesat e tij dhe po ia plotëson dëshirat. Florian Wirtz është blerja spektakolare e vitit për 120-150 mln euro. Skuadra e kuqe do të rindërtohet rreth tij.
Slot gjithashtu po rifreskon krahët e mbrojtjes me dy lojtarë klasi si Milos Kerkez dhe Jeremie Frimpong. Ai tashmë ka thuajse një skuadër të përkryer.
Liverpool pritet të transferojë edhe dy lojtarë të tjerë: një qendërmbrojtës dhe një sulmues qendre. Mesfusha është e kompletuar tashmë me yje si Gravenberch, Mac Allister dhe Szoboszlai.
Merkatoja e verës nuk ka filluar ende (zyrtarisht), por që tani kuptohet se Liverpool mund të mposhtet vetëm nga Real Madrid. Asnjë klub tjetër nuk i afrohet asaj që po bën klubi anglez në merkato.







