Marc-André ter Stegen nuk ka dyshime: Ai do të vazhdojë të jetë portieri i Barcelonës sezonin e ardhshëm. Në një konferencë për shtyp nga kampi stërvitor i kombëtares gjermane, ku po përgatiten për gjysmëfinalen e Nations League kundër Portugalisë, ai ka dashur të sqarojë çdo dyshim.
“Askush në klub nuk më tha se duan të më shesin. Nuk jam i shqetësuar, pasi e ardhmja ime është te Barça“, tha Ter Stegen. Thashethemet për ardhjen e afërt të Joan Garcia nga Espanyol nuk e trembin atë.
Ter Stegen përsërit: “Ka pasur gjithmonë konkurrencë, në çdo rol. Kushdo që vjen duhet të fitojë vendin e tij. Unë dua të vazhdoj të jap gjithçka“. Pas tetë muajsh jashtë me një dëmtim në gju, gjermani është kthyer në formë dhe po e shikon me entuziazëm sezonin e ardhshëm.
“Fizikisht jam më mirë se më parë, kam punuar shumë dhe kam tejkaluar kufijtë e mi. Tani dua të fitoj sërish”, tha portieri 32-vjeçar, që ka një kontratë deri në vitin 2028 me klubin katalanas.
“Barcelona është një nga ekipet më të mëdhenj në botë, është normale që ata gjithmonë përpiqen të përmirësohen. Por unë jam gati të luftoj për vendin tim“, tha Ter Stegen.







