Lautaro Martínez është padyshim një nga emrat më të mëdhenj në historinë e fundit të Interit. Kapiten, lider, golashënues, simbol i epokës moderne zikaltër. Sidoqoftë, pavarësisht gjithë kontributit dhe karakterit të argjentinasit në fushë, fati nuk ka qenë në anën e tij kur bëhet fjalë për finalet europiane. Tri finale, tri humbje. Një plagë që nuk mbyllet lehtë…
🥈 2020 – Finalja e “Europa League”
Në një sezon të pazakontë për shkak të pandemisë, Interi i Antonio Contes arriti deri në finalen e “Europa League”. Lautaro ishte fantastik në rrugëtimin drejt finishit, por ndaj Sevilla, zikaltërit u ndalën, duke humbur 3-2 në një ndeshje të dhimbshme, ku fati nuk i buzëqeshi.
🥈 2023 – Finalja e Champions League
Tri vite më vonë, një Lautaro më i pjekur dhe tashmë kampion bote me Argjentinën, udhëhoqi Interin drejt finales më prestigjioze. Në Stamboll, përballë Manchester City, zikaltrit zhvilluan ndeshje heroike, por një gabim i vogël mjaftoi për të humbur 1-0. Lautaro kishte një rast të artë për të barazuar, por nuk ia doli. Moment që e ndjek ende si hije…
🥈 2025 – Finalja e Champions League
Së fundi, në vitin 2025, Lautaro dhe Interi arritën sërish finalen e Champions-it. Një mundësi për ta hequr mallkimin e Stambollit, por fati, edhe një herë, ishte kundër. Një tjetër humbje në ndeshjen më të madhe të futbollit europian për klube. Tri finale europiane me Interin, tri medalje argjendi…
⚫🔵 Simbol i Interit, por i ndjekur nga mallkimi europian
Lautaro Martínez nuk është vetëm një sulmues, por vetë shpirti i skuadrës. Gjithsesi, në mënyrë tragjike, ndërsa i ka dhënë Interit suksese në Itali dhe e ka udhëhequr me krenari në Europë, ai nuk ka arritur ende të prekë trofeun që do të vuloste përjetësisht emrin e tij në panteonin e legjendave.
I pafat? Mbase po. Por edhe heroik, i palodhur dhe i vendosur për të mos u dorëzuar. Finalet humben, ndërsa legjendat qëndrojnë në këmbë dhe shohin përpara. Lautaro është dhe do të mbetet një legjendë e Interit. Ndoshta, një ditë, historia do ta shpërblejë siç e meriton.







