Intervistë e gjatë për “Gazzetta dello Sport”, dhënë nga Didier Deschamps, trajneri i kombëtares franceze. Ai e nisi nga finalja e Champions League: “Nuk pati ndeshje, PSG-ja ishte superiore nga fillimi deri në fund. Ndoshta Interi kishte pak energji mendore dhe fizike, pasi luftoi deri në fund për titullin. Po kështu, pashë disa lojtarë si Lautaro, që nuk ishin në formë optimale. Kjo është gjithashtu fitorja e Luis Enrique, i cili iu qëndroi besnik ideve të tij. PSG-ja impresionoi, por në nëntor ishte gati për t’u eliminuar”.
Dhe mbi të gjitha, PSG fitoi pa Mbappé: “Kjo ndodh, Kylian ka fituar tashmë shumë. Ai mbetet lideri dhe kapiteni ynë, sezoni i tij ka qenë gjithsesi pozitiv”.
Deschamps u pyet gjithashtu nëse do të rikthehej te Juventusi, ku ka qenë më parë trajner, por pa ndonjë sukses të madh: “Nuk është temë aktuale… Juventusi ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. U ktheva në një situatë të vështirë dhe më 2007 u largova sepse m’u duk zgjedhja e duhur. Me mendje të kthjellët, ndoshta nuk kthehem. Sot atje është ish-shoku im, Tudor, kemi folur shpesh para se të firmoste. Nuk e di çfarë do të bëj pas kombëtares, gjithçka është e mundur”.
Një tjetër ish-shok i tij te Juventusi, Conte, ka fituar titullin me Napolin: “Nuk është e lehtë të triumfosh me tri skuadra të ndryshme. Duke e njohur, nuk besoj se i pëlqeu që ia hoqën Kvaratskhelian në mes të sezonit. Nuk kemi folur, por e përgëzoj”.
Deschamps përfundoi me komentet për disa lojtarë të Francës, që luajnë në Serie A. Për Kolo Muani, i cili përflitet për një të ardhme te Juventusi: “Nuk varet vetëm nga ai. Në pesë muaj bëri gjëra të mira, ishte efikas. Pastaj hyjnë në lojë elemente financiare, që duhet të përputhen”.
Për Marcus Thuram: “Edhe sezonin e kaluar ishte shumë i mirë. Është përmirësuar shumë dhe kur mungon, kjo ndihet tek Interi. Te Franca nuk ka ende të njëjtin ndikim”.
Trajneri i “gjelave” e përfundoi me milanistët Maignan dhe Theo Hernandez, për të cilët e ardhmja është e pasigurt: “Duhet parë nëse duan të qëndrojnë dhe nëse Milani dëshiron t’i mbajë. Nuk ka zgjedhje të drejta apo të gabuara, por të përbashkëta. Pa Champions, mund të jetë më e vështirë për ta”.







