Dimarco, mesazh zemre tifozëve zikaltër: Vuaj si ju, më vjen keq që nuk e mbrojta ëndrrën tuaj

4 Qershor 2025
8:19
Alfred Lleshi
back button

Disa ditë pas zhgënjimit të hidhur në Mynih, Federico Dimarco u foli hapur tifozëve të Interit, përmes një postimi të gjatë të publikuar në llogarinë e tij në Instagram: “Nuk kam qenë në gjendje të mendoj për asgjë tjetër për ditë të tëra, duke kërkuar shpjegime për atë që ndodhi. Gjithçka shkoi keq, është e lehtë të flasësh kur gjërat shkojnë mirë.

Dua të marr përgjegjësi dhe e bëj këtë pas një humbjeje të hidhur. Iu them të gjithë tifozëve se më vjen shumë keq. Më vjen keq për humbjen dhe mënyrën se si erdhi ajo, sepse ishim një hap larg një ëndrre dhe nuk mundëm ta bënim realitet. Donim t’ju bënim të lumtur dhe nuk ia dolëm, por mos mendoni se kjo nuk më rëndon mua.

E ndiej këtë vuajtje brenda meje. Ndjej të njëjtat ndjesi si ju: zhgënjim, zemërim, frustrim. Më vjen keq për të gjithë ju tifozë që sakrifikuat kohë dhe para për të qenë atje, por edhe për të gjithë ata që nuk mundën të vinin dhe do të donin. Më vjen keq sepse jam njëri nga ju në të mirë, por edhe më shumë në të keq.

Nuk kam qenë versioni më i mirë i vetes, nuk dua të fshihem ose të pretendoj sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kam bërë shumë sakrifica për ta arritur këtë moment, por në çastin më vendimtar nuk isha në gjendje të isha Federico juaj i zakonshëm.

Më vjen keq nëse nuk kam qenë në gjendje ta mbroj ëndrrën tuaj. Që tani e tutje do ta kem këtë plagë. Nuk do të zhduket kurrë, por do të më kujtojë se ta duash një ekip pa kushte do të thotë edhe kjo. Të gëzohesh për fitoret, të vuajsh pa masë për humbjet.

Le ta bëjmë të gjithë së bashku, sepse do të na ndihmojë ta kapërcejmë këtë ndjenjë të tmerrshme. Një ditë do të gëzohemi përsëri, kjo është bukuria e të qenit tifoz i Interit. Për mirë a për keq, por së bashku. Forca Inter, sot më shumë se kurrë!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit