Simone Inzaghi “fluturon” drejt Arabisë Saudite. Trajneri nga Piacensa ka zgjedhur kampionatin saudit për ta vazhduar karrierën, me Al-Hilal që i ka ofruar një kontratë me vlerë totale rreth 50 milionë euro. Pikërisht për këtë çështje është shprehur për “Gazzetta dello Sport” edhe Arrigo Sacchi:
“Më duket e qartë që në këtë histori, peshën vendimtare e kanë pasur paratë. Nuk e di nëse të ndjekësh gjithmonë aromën e parasë është një zgjedhje e mirë. Vetëm koha do të tregojë nëse ka bërë mirë apo jo. Unë, në vitin e parë te Milani, merrja një pagë më të ulët sesa ajo që kisha te Parma”.
Ish-trajneri i kombëtares italiane u ndal më tej edhe te vendimi i Inzaghit për ta lënë Interin: “Nuk është një rrufe në qiell të pastër, pak a shumë e prisja. Nuk futem në motivet e tij për ta lënë Interin, me siguri ka arsyet e veta të forta dhe nuk është e drejtë të shprehem për to.
Sidoqoftë, dua të shtoj se Interi i ka dhënë shumë, sepse e lejoi të luante dy finale të Ligës së Kampionëve. Dhe ky nuk është momenti më i mirë për ambientin zikaltër që të largohej, pas shuplakave që mori nga PSG. Ndoshta do ta kishin ndihmuar disa ditë reflektimi më shumë, disa biseda më shumë…”







