Scaloni: Do t’i japim pak pushim, Lautaro nuk do të luajë kundër Kilit

5 Qershor 2025
8:37
Alfred Lleshi
back button

Në prag të sfidës kundër Kilit për kualifikueset e Amerikës së Jugut, trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, mbajti një konferencë për shtyp të dominuar nga sqarimet për dëmtime, pezullime dhe pushime të planifikuara. Kjo do të çojnë në një formacion titullar me shumë rotacione të detyruara.

“Do të kemi shumë mungesa, sidomos në mesfushë”, – pranoi trajneri i Albiceleste, i cili nuk do të mund të llogarisë Otamendi, Paredes, Enzo Fernández dhe Nicolás González, të gjithë të pezulluar.

Këtyre iu shtohen edhe Alexis Mac Allister, i pamundësuar për shkak të një problemi muskulor, dhe Giovani Lo Celso, për të cilin Scaloni deklaroi: “Me siguri nuk do të jetë në dispozicion për asnjërën nga dy ndeshjet. Do t’i japim kohë të rikuperohet siç duhet”.

Një tjetër mungesë e bujshme do të jetë ajo e Lautaro Martínez, sulmuesi dhe kapiteni i Interit, i cili vjen pas humbjes së rëndë në finalen e Champions League: “Kemi vendosur që Lautaro të mos luajë kundër Kilit për t’i dhënë pak pushim. Folëm për disa minuta dhe do të flasim përsëri. Do të udhëtojë me grupin, por nuk do të jetë i disponueshëm për të luajtur. Ky ishte një vendim i marrë më parë, i meriton këto ditë pushimi. Bën pjesë në grup, kjo është e sigurt”.

Një vendim që merr parasysh edhe Kupën e Botës për Klube, të cilën lojtari do ta zhvillojë me Interin pas dy javësh. Në fund, Scaloni komentoi edhe rikthimin e Ángel Di María në futbollin argjentinas, te Rosario Central: “Është një gëzim i madh”.

Ndërsa për pamundësinë e të luajturit miqësore kundër përfaqësueseve europiane këtë vit, nënvizoi: “Nuk ka asnjë mundësi për shkak të kalendarit. Nëse duhet të zgjedh, preferoj të mos përballemi me kombëtaret e Amerikës së Jugut, sepse përballemi gjithmonë. Preferoj përfaqësuese nga kontinente të tjera”.

Pas ndeshjes kundër Kilit, Argjentina do të luajë kundër Kolumbisë natën e 10 qershorit, por Albiceleste është tashmë e kualifikuar për Kupën e Botës 2026.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit