Gavi “frenon” PSG-në: Besoj se më do, por nuk do të ndodhë. Barcelona është shtëpia ime

5 Qershor 2025
8:48
Alfred Lleshi
back button

Në një intervistë për “Mundo Deportivo”, Gavi, mesfushori 20-vjeçar i Barcelonës, ka folur me sinqeritet dhe vendosmëri për të ardhmen e tij, duke shuar zërat për një kalim të mundshëm te PSG. I pyetur për interesimin e kampionëve të Francës dhe Europës, spanjolli u tregua i qartë:

“Që PSG më do, po, mund të jetë e vërtetë. E kuptoj që njerëzit mund ta besojnë, por nuk do të ndodhë. Jam shumë i qetë. Ëndrra dhe mentaliteti im janë ta zhvilloj gjithë karrierën te Barça. Është klubi i jetës sime dhe aty dua të kem sukses. Nuk dua asnjë tjetër, do të jap gjithçka nga vetja që ta bëj të mundur”.

Në intervistë, Gavi shprehu edhe mirënjohje të madhe për Luis Enrique, trajnerin aktual të PSG-së, që dikur e aktivizoi për herë të parë në kombëtaren spanjolle: “Për mua është më i miri. Numër një, klas botëror, ashtu edhe stafi i tij.

Jam shumë i lumtur për të. Ishte ai që më bëri të debutoj me Spanjën kundër Italisë, kampione e Europës, në ‘San Siro’. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Kishte kurajon të më hidhte në fushë kur të gjithë e kritikonin. E meriton gjithçka”.

Fjalët e Gavit janë një tjetër mesazh dashurie për Barcelonën, në një moment kur klubi po kalon një proces rindërtimi dhe ka nevojë për figura të reja që mishërojnë shpirtin blaugrana. Ai mbetet një simbol i të ardhmes së klubit dhe shtyllë e rëndësishme për projektin e ri pas largimit të Xavit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit