Chivu, trajneri i parë i huaj (jo italian) në 46 vite karrierë drejtuese të Marotta

7 Qershor 2025
8:03
Alfred Lleshi
back button

Fabregas ishte i preferuari, por në fund erdhi Cristian Chivu, ndaj kurioziteti mbetet. Do të jetë hera e parë në karrierën e Giuseppe Marotta, që punon me një trajner të huaj (jo italian). Në 46 vite karrierë, në skuadrat për të cilat ka punuar, nuk kishte pasur kurrë një trajner të huaj.

Ndoshta është rastësi, ose ndoshta një prirje për trajnerët italianë, por fakt është se nga Varese në fund të viteve ’70 e deri më sot, pankinat e tij janë drejtuar gjithmonë nga përfaqësues të futbollit “made in Italy”.

Dhe çfarë përfaqësuesish… Marotta ka zgjedhur trajnerë si Spalletti, Mazzarri, Conte, Allegri apo Simone Inzaghi. Këtë herë është orientuar ndryshe, por jo edhe aq shumë, duke qenë se Chivu ka qenë prej kohësh në Itali. Ai erdhi në vitin 2003 te Roma, më pas kaloi tek Interi në vitin 2007, me të cilin fitoi tripletën historike dhe e mbylli karrierën më 2014.

Edhe si trajner, rumuni ka zgjedhur të qëndrojë në Itali, pasi ka drejtuar gjithmonë te zikaltrit: fillimisht ekipet e moshave, pastaj ekipin Primavera (me të cilin fitoi titullin kampion në sezonin 2021/22), deri te aventura me Parma, që e shpëtoi nga rënia në sezonin e fundit.

Tani vjen mundësia e madhe: pankina e ekipit të parë të Interit. Mendohet se edhe në këtë eksperiencë madhore nuk do të largohet shumë nga ajo që është parë prej tij në vitet e fundit, edhe për shkak të qëndrimit të Mario Cecchi në staf. Ka shumë gjasa që Chivu të vazhdojë me idenë e mbrojtjes me tre dhe disa nga parimet që i kanë lejuar Inzaghit të konkurrojë për objektiva madhorë, përveç titullit dhe kupave të fituara me Interin.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit