Kur mbeten edhe pak orë nga ndeshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, emocionet sa vijnë e shtohen. Njëri prej shumë shqiptarëve që nuk i fsheh dot emocionet për sfidën e sotme është edhe Altin Rraklli.
Ish-sulmuesi i Kombëtares, ka folur në një intervistë për “Sport News” në News 24 për sfidën e sotme si dhe ka treguar këshillën e vetme që ka për trajnerin Sylvinho, nëse braziliani do që të fitojë ndaj Serbisë.
“Kjo është nga ato ndeshje që duhet fituar me çdo kusht. Fitorja do të na japë shanse të mëdha për kualifikimin, ndërsa barazimi në anën tjetër nuk është dështim, por do ta bëjë shumë të vështirë mundësinë për të zënë vendin e dytë në grup.
Për mendimin tim, duhet të luajmë me 3 sulmues sonte, ky është moduli ideal për ne. E di dashurinë që Sylvinho ka për Asanin, por nëse do të fitojë ndaj Serbisë, duhet të luajë me Brojën në majë të sulmit dhe me Dakun dhe Bajramin në krah. Kam besim te kjo treshe dhe jam i sigurt që me këtë modul, ne fitojmë 1-0”, tha Rraklli.







