Tenistja 21-vjecare amerikane Coco Gauff është shpallur fituese e grand slam-it të Roland Garros. Në finalen e luajtur në Paris, ajo mundi 2-1 bjellorusen Aryna Sabalenka (6-7, 6-2, 6-4).
Fitore me përmbysje e numrit 2 në botë, që për herë të parë në karrierën triumfon në Roland Garros, duke mundur numrin 1. Tashmë Gauff është “mbretëresha” e re e Parisit.
Një ndeshje që nisi më mirë për Sabalenka, që fitoi në “tie break” setin e parë. Por më pas loja ndërroi totalisht kah dhe në fushë dominoi Gauff, që ishte ndjeshëm më superiore dhe e meritoi fitoren.
Ky është suksesi i dytë për tenisten amerikane në një grand slam, pas atij të US Open 2023. Një teniste, që duke parë moshën e re, shumë shpejt do të ngjitet edhe në majën e renditjes botërore.






