Që Simone Inzaghi e ka kaluar shkëlqyeshëm periudhën tek Interi nuk është sekret, ashtu siç nuk është i panjohur vlerësimi i madh që lojtarët kanë për të dhe vitet e kaluara së bashku. Atëherë, pse të mos e ndjekin edhe në Arabinë Saudite?
Sipas asaj që raporton “La Repubblica”, trajneri italian, tashmë në stolin e Al Hilal, do të tentojë të marrë me vete dy shtylla të Interit: Alessandro Bastoni dhe Nicolò Barella. Lojtarë që do të dëshironte t’i kishte sërish nën urdhrat e tij.
Është ende herët për të bërë parashikime konkrete, por sipas të njëjtit burim, klubi saudit ka shprehur interes të vërtetë për dyshen italiane në fjalë. Barella kishte refuzuar një ofertë disa javë më parë, por pas zhgënjimit të rëndë në finalen e Champions-it ndaj PSG-së në Mynih, nuk përjashtohet që të ketë ndryshuar mendim.
![]()
Ndërkohë, thuhet se Theo Hernandez dhe Victor Osimhen kanë refuzuar përfundimisht ofertat e Al Hilal për momentin. Sa iu përket statistikave, Barella ka grumbulluar 287 ndeshje dhe 25 gola me Interin, 112 paraqitje dhe 7 gola me Cagliarin, si dhe 16 ndeshje me Comon. Bastoni, nga ana tjetër, ka luajtur 254 herë dhe ka shënuar 5 gola me Interin, 24 ndeshje dhe një gol me Parmën, si dhe 9 ndeshje me Atalantën.
Të dy konsiderohen si simbolet aktuale të klubit zikaltër. Nëse edhe ata do të largoheshin, Interi do të përballej me një “revolucion” të thellë në skuadër.







