Mbappé këmbëngul për “Topin e Artë”: Nuk ka dilema për mua, zgjedh Dembélé pa hezitim

9 Qershor 2025
10:49
Alfred Lleshi
back button

Kylian Mbappé ka deklaruar për herë të dytë brenda pak orësh se, sipas mendimit të tij, Ousmane Dembélé e meriton ta fitojë “Topin e Artë” përpara Lamine Yamal. Në një intervistë për “Téléfoot”, pas ndeshjes për vendin e tretë dhe të katërt në “Nations League” mes Francës dhe Gjermanisë, sulmuesi i Real Madridit e ka forcuar edhe më tej mesazhin që kishte dhënë publikisht të shtunën në një konferencë për shtyp.

“Lufta për ‘Topin e Artë’ do të vazhdojë deri në shtator, por për momentin të gjithë flasim për Lamine Yamal dhe Ousmane Dembélé. Unë gjithmonë do ta mbështes vëllain tim, Ousmane. Nuk ka debat. Ne kemi vite që e mbështesim njëri-tjetrin. Midis Lamine Yamal dhe Ousmane Dembélé, unë zgjedh Dembélé. Pa asnjë hezitim”, – ka deklaruar Mbappé me bindje në intervistë.

Pasi theksoi se Dembélé “ka arritur një nivel të jashtëzakonshëm, duhet t’i lihet hapësira që meriton”, Mbappé lavdëroi PSG-në për suksesin në Champions League: “E përjetova shumë mirë fitoren. Isha në Marok. Jam shumë i lumtur, kryesisht për njerëzit që punojnë në klub. Është një klub që ka vuajtur shumë, edhe unë kam qenë pjesë e asaj vuajtjeje, i kam përjetuar të gjitha fazat që kaloi klubi”.

Ndër të tjera, sulmuesi i Real Madridit shpjegoi për “Téléfoot” se klima në kombëtaren franceze është shumë e mirë, pavarësisht eliminimit nga “Nations League” ndaj Spanjës: “Tani të gjithë jemi pak a shumë në të njëjtën moshë. Më parë kishte gjithmonë veteranë, lojtarë shumë të rinj, të tjerë në mes…

Tani po vijnë të rinj, por të gjithë jemi thuajse në një grupmoshë dhe kuptohemi më lehtë. Njihemi të gjithë mes nesh. Është shumë bukur të kemi marrëdhënie të mira jashtë fushës, por sidomos në fushë, ku duhet të tregojmë vlerat, do ta ndërtojmë reputacionin tonë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit