Perez-lojtarëve: Duhet të jepni shpirtin në fushë për ta fituar Botërorin e Klubeve

9 Qershor 2025
10:53
Alfred Lleshi
back button

Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, deklaroi se futbollistët e ekipit të tij do të japin gjithçka për ta fituar Kupën e Botës për Klube, e cila do të zhvillohet në SHBA nga 15 qershori deri më 13 korrik:

“Jam i bindur se lojtarët tanë do ta lënë shpirtin në fushë për ta arritur atë që do të ishte titulli i tretë i sezonit. Një vit më parë fituam Champions-in e 15-të në ‘Wembley’. Këtë sezon kemi shtuar dy trofe të tjerë: Superkupën e gjashtë të Europës dhe Kupën Interkontinentale, që është titulli i nëntë botëror për Real Madridin. Por, në këtë klub gjithmonë duam më shumë”.

Florentino Perez vlerësoi Carlo Ancelottin dhe Luka Modricin, si dhe përparimin në ndërtimin e stadiumit: “Po hyjmë në fazën përfundimtare të punimeve në ‘Santiago Bernabéu’. Ndjehemi krenarë për këtë stadium, që tashmë është bërë ikonë arkitekturore e Madridit dhe e futbollit botëror. Transformimi i ‘Bernabéu’ është një shtysë që do të na lejojë të vazhdojmë të jemi liderë. Një stadium më i sigurt dhe më komod, që miliona njerëz duan ta shijojnë”.

Ai theksoi sukseset e klubit të bardhë në 15 sezonet e fundit: “Është jashtëzakonisht e vështirë të fitosh 30 tituj në futboll dhe 27 në basketboll. Gjithsej 57 tituj, përfshirë 6 Champions në futboll dhe 3 në basketboll. Të gjitha këto i kemi përjetuar së bashku, me netë magjike dhe të paharrueshme në ‘Bernabéu’, duke bërë histori”.

Pérez përmendi edhe forcën e klubit në rrjetet sociale dhe vlerësimet ndërkombëtare: “Jemi klubi më i ndjekur në rrjetet sociale në mbarë botën, me mbi 630 milionë ndjekës. ‘Forbes’ na renditi si klubin më të vlefshëm në botë për të katërtin vit radhazi”.

Për Florentino Perez, të qenurit pjesë e Real Madridit është më shumë se sport: “Të jesh i këtij klubi është një mënyrë për ta përballuar jetën. Do të thotë të mos dorëzohesh kurrë, të përballosh sfidat më të mëdha, edhe kur duken të pamundura, të ushqesh një ndjenjë universale, pa dallim kombësie, ideologjie, gjuhe, feje apo kulture”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit