Shqipëria nuk arriti më shumë se një barazim në transfertën ndaj Letonisë (barazimi i gjashtë në po kaq përballje mes dy kombëtareve në fjalë), duke u ndalur 1-1 në “Skonto Stadium” të Rigës. Një rezultat që lë shije të hidhur, jo vetëm për mënyrën si erdhi, por edhe për faktin se kuqezinjtë humbën një mundësi të mirë për të konsoliduar pozitat në renditje. Pas ndeshjes, trajneri Sylvinho doli në prononcim për mediat, ku nuk e fshehu zhgënjimin e tij për mënyrën si e nisi skuadra ndeshjen:
“Futbolli nuk të fal, në pjesën e parë kemi gabuar goxha në qarkullimin e topit. Ndërkohë, vlen që jemi përmirësuar në pjesën e dytë të ndeshjes. Duhet të futemi në fushë me një qëndrim më ndryshe, sepse futbolli luhet 90 minuta”.
Trajneri brazilian theksoi se skuadra e tij e la veten peng të gabimeve elementare. Sipas Sylvinho, 45 minutat e para ishin praktikisht të shpërdoruara: “Më shumë gabime kemi bërë në pjesën e parë, kemi shpërdoruar shumë. Laçi ishte shumë i lodhur, duhej zëvendësim i detyruar. Futbolli është i tillë, ku luan me tre sulmues dhe nuk fiton, luan me një sulmues dhe fiton. Kemi shpërdoruar 45 minuta”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për objektivat e Shqipërisë tashmë, Sylvinho ishte shumë i qartë; nuk mjaftojnë emrat në letër për të arritur suksesin: “Objektiv, vendi i dytë? Nëse teorinë, pra ato në letër nuk i hedh në fushë, edhe po të ishim ekip si Gjermania apo Brazili, përsëri nuk e kapnim dot objektivin. Sigurisht që ne u futëm në fushë për fitoren”.
Megjithatë, trajneri vlerësoi reagimin e skuadrës në pjesën e dytë, ku Shqipëria tregoi më shumë karakter dhe dëshirë për ta ndryshuar fatin e ndeshjes: “Bëmë shumë gabime në pjesën e parë, në të dytën ekipi po shtynte para për të shënuar gol.
E theksoj se nuk është formacioni, por qasja e lojtarëve që kanë në fushën e lojës, ajo që bën diferencën. Qasja ishte e gabuar, pjesa e parë gjithashtu. Mund të pësonim edhe një gol nga penalltia, ku mund të ishim në disavantazh, por Strakosha e bëri mjaft mirë punën e tij”.







