Botërori për Klube / Neuer dhe Muller, njëzëri: Objektivi i Bayern Munich është të fitojë kudo

13 Qershor 2025
7:43
Alfred Lleshi
back button

Misioni “Kupa e Botës për Klube” ka nisur zyrtarisht për Bayern Munich. Skuadra gjermane është në grumbullim në Orlando që nga e marta, me gjysmën e skuadrës në dispozicion. Lojtarët që kanë qenë të angazhuar me kombëtaret e tyre do t’i bashkohen grupit vetëm në ditët në vijim.

Të mërkurën është zhvilluar edhe seanca e parë stërvitore në tokën amerikane, prej nga kanë mbërritur edhe deklaratat e kapitenëve Manuel Neuer e Thomas Müller, të cilët kanë folur për pritshmëritë e tyre në këtë turne.

“E nisim këtë kompeticion me synimin për t’i fituar ndeshjet, do të provojmë ta bëjmë këtë që nga e para, sigurisht, – tha Müller. – Shpirti i grupit është i duhuri, edhe trajneri nuk la vend për dyshime. Ai e tha qartë: duam ta fitojmë këtë trofe”.

Müller e di që kjo do të jetë aventura e tij e fundit me fanellën e Bayernit, por nuk ka vend për trishtim: “Ndihem thjesht i lumtur që jam këtu. Natyrisht, gjëja më e bukur për mua është të zbres në fushë”.

Edhe Neuer, shok skuadre prej shumë vitesh me Müller, është i entuziazmuar për nisjen e Kupës së Botës për Klube. “Është e veçantë të jesh këtu, – u shpreh portieri. – Jemi këtu për të luajtur futboll fitues. Sigurisht, edhe ne duam të luftojmë për trofeun. Besoj që pas disa vitesh do ta kuptojmë vërtet rëndësinë e këtij formati”.

Bavarezët do të përballen të dielën (ora 12:00, ora lokale në Cincinnati) me Auckland City FC. “Ekipi ynë i analistëve do të na përgatisë, – tha Neuer në prag të ndeshjes hapëse. – Do ta analizojmë në detaje çfarë kanë bërë kundërshtarët tanë këtë sezon dhe si kanë luajtur, kështu që përgatitja do të jetë si për çdo ndeshje zyrtare, ndoshta pak më e gjatë, sepse nuk e njohim mirë këtë skuadër. Është gjithmonë shumë e rëndësishme ta fitosh ndeshjen e parë në kësi turnesh. Duam ta nisim me këmbën e mbarë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit