Interi në dilemë, merr oferta joshëse nga Arabia dhe Turqia për Calhanoglu

13 Qershor 2025
7:46
Alfred Lleshi
back button

Tundim nga Arabia Saudite për Hakan Calhanoglu, por jo vetëm. Për organizatorin e mesfushës zikaltër ka interesim serioz edhe nga Galatasaray, që pas afrimit zyrtar të Leroy Sané dhe presionit për Victor Osimhen, duket se është i vendosur të ndërtojë një super skuadër për sezonin e ardhshëm.

Sipas gazetarit Burhan Can Terzi, ekspert merkatoje për median turke “Sportcell”, Galatasaray do të ishte gati të bënte çmenduri për Calhanoglu, deri në ofrimin e kontratës prej 10 milionë eurosh në sezon.

“Regjisori” turk, një nga protagonistët absolutë të ciklit të fundit të suksesshëm të Interit, në moshën 31-vjeçare e di që ndodhet përpara një udhëkryqi të rëndësishëm për karrierën e tij: të pranojë ofertat marramendëse nga Arabia, të kthehet në shtëpi, në Turqi, me Galatasaray që e pret, ose të qëndrojë tek Interi për të vazhduar të luajë në nivelet më të larta.

Tundimi për të nisur një aventurë të re është i madh, edhe sepse në tavolinë janë më shumë se një ofertë dhe, për momentin, nga vetë Calhanoglu nuk ka ardhur asnjë refuzim kategorik, përkundrazi. Në të kaluarën, Calhanoglu nuk e ka fshehur dëshirën për t’u kthyer e për të luajtur në atdheun e tij, para përfundimit të karrierës. Tani mundësia reale është para tij.

Turku e rinovoi kontratën me Interin pas finales së Stambollit kundër Manchester City dhe është i lidhur me klubin zikaltër deri më 2027. Ai ka një nga pagat më të larta në skuadër. Vendimi i fundit i takon vetë lojtarit, që po mendon seriozisht për këto oferta, të cilat mund ta bindin ta mbyllë aventurën në Itali pas 8 sezoneve, mes Milanit dhe Interit.

Zikaltrit nuk dëshirojnë ta humbasin, por gjithashtu nuk e kanë mbyllur derën për një shitje të mundshme, edhe sepse duke qenë se ka mbërritur si lojtar i lirë, do të sillte “plusvalencë” të madhe për bilancin ekonomik të klubit. Element kyç për një verë, në të cilën synohet ulja e moshës mesatare të skuadrës. Çmimi i vendosur nga Interi për të është 40 milionë euro.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit