Drejtori i Bayernit, pa mëri: Wirtz? Më vjen keq, por mbyllet një derë, hapet një tjetër…

13 Qershor 2025
8:12
Alfred Lleshi
back button

Gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje, drejtori sportiv i Bayern Munich, Max Eberl, ka folur për të gjitha temat e merkatos, mes blerjeve të mundshme dhe lojtarëve që mund të largohen.

Në veçanti, ai është ndalur te refuzimi i marrë nga Florian Wirtz për t’u transferuar në Mynih te “Die Roten”, pas vitesh ndjekjeje dhe joshjeje ndaj mesfushorit gjerman të lindur më 2003, i cili tashmë është vetëm për t’u zyrtarizuar te Liverpool-i.

Operacion merkatoje me vlerë totale prej 150 milionë eurosh, duke përfshirë bonuset dhe shpërblimet në varësi të objektivave të arrritshëm. “Për të qenë i sinqertë, as nuk e di nëse do të kishim mundur ta përballonim çmimin që Liverpool-i duket se është gati të paguajë për të.

Mund ta imagjinonim shumë që të vinte te Bayern Munich. Ai mori një vendim tjetër, edhe pse bisedimet ishin vërtet shumë, shumë pozitive. Qoftë me Christoph (Freund), me Vincent (Kompany), me Uli (Hoeness), me Jan Dreesen… Të gjithë ishin të përfshirë, të gjithë ishin në tavolinë, por Florian më pas vendosi ndryshe”.

Drejtori bavarez shtoi: “Në fillim mendon: Më vjen keq! Sidoqoftë, mbyllet një derë, hapet një tjetër. Florian do të ndjekë rrugën e tij te Liverpool-i. Është një lojtar i jashtëzakonshëm, por e kam thënë gjithmonë: ne kemi tashmë lojtarë të jashtëzakonshëm këtu. Mendoj për Michael Olise, Jamal Musiala, Harry Kane, Joshua Kimmich dhe të gjithë të tjerët.

Do të kishte qenë perfekte të shtonim edhe një lojtar tjetër të madh, por tani do të kërkojmë një tjetër talent të jashtëzakonshëm që të na ndihmojë për të arritur suksese. Jam i bindur që do të kemi një skuadër shumë konkurruese”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit