Sacchi paralajmëron Interin dhe Juven: Pas USA ’94, lojtarët e mi nuk kishin më muskuj. I pret vapa përvëluese

13 Qershor 2025
9:32
Alfred Lleshi
back button

Për Interin dhe Juventusin pritet të jetë një muaj “zjarri”, duke udhëtuar nëpër SHBA në vapën e madhe, për të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube. Pikërisht për këtë temë ka folur Arrigo Sacchi në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, duke kujtuar eksperiencën e tij si trajner i Italisë në Botërorin e famshëm të vitit 1994, në SHBA. Këto janë fjalët e tij mbi kushtet klimaterike që do të gjejnë ekipet përtej Atlantikut:

“Së pari, klima është përkeqësuar. Kjo më duket një gjë e qartë për të cilën askush nuk mund të diskutojë. Për më tepër, skuadrat do të jenë të detyruara të udhëtojnë shumë, çka do të thotë se nuk do të mund të stërviten rregullisht. Mendoj se lojtarët, nga pikëpamja fizike, do të jenë mjaft të lodhur. Mbaj mend se si ishin djemtë e mi atëherë… Në fund të pjesës së parë të çdo ndeshjeje, të gjitha të luajtura nën diell, sepse ndeshjet zhvilloheshin në mesditën amerikane për t’u ndjekur në orët e vona në Europë, katër ose pesë lojtarë më kërkonin të zëvendësoheshin. Nuk qëndronin më dot në këmbë”.

Cili është sekreti për të përballuar një turne si Kupa e Botës për Klube?
Organizimi është thelbësor. Aspekti logjistik bëhet shumë i rëndësishëm. Mendoni sa ka rëndësi për një sportist të pushojë pas një përpjekjeje të gjatë. Ne këtë mundësi nuk e patëm.

Italia nuk ishte një kombëtare spektakolare në atë Botëror, apo jo?
E si mund të bësh spektakël me ato temperatura? Gjithsesi, më duket se disa aksione të bukura janë parë dhe, e përsëris për herë të njëmijtë, djemve të mi nuk mund t’iu them gjë tjetër veçse faleminderit. Në dhomat e zhveshjes, menjëherë pas finales, dikush po qante nga humbja. Unë u futa mes tyre dhe iu thashë: Ju e dhatë shpirtin dhe për mua jeni heronj! Kur dikush jep gjithçka, nuk ka pse të ndjejë faj. Më shumë nuk mund t’iu kërkoja. Por e dini çfarë më thanë masazhatorët para finales? I pyeta si ishin disa lojtarë, ndoshta mund t’iu bëhej ndonjë masazh… Ata më thanë: Arrigo, nuk kemi më çfarë të masazhojmë. Nuk kanë më muskuj. Ky ishte rezultati i qëndrimit në bregun lindor, me 35 gradë, netët tropikale dhe asnjë fije ajri. E dini që unë në mbrëmje nuk mund të bëja as një shëtitje, sepse për një minutë bluza më bëhej qull nga djersa. Nuk do të doja aspak të isha në lëkurën e trajnerëve që do të marrin pjesë në Kupën e Botës për Klube”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit