De Paul, thumbim ndaj Real Madridit: Ka gjëra që nuk varen nga ne, si në Champions…

16 Qershor 2025
8:33
Alfred Lleshi
back button

Një sezon pa trofe, eliminuar nga Liga e Kampionëve pikërisht nga rivalët e qytetit, Real Madridi, dhe një garë për titullin e La Liga-s e humbur rrugës për shkak të pikëve të lëna shpesh në ndeshje të lehta, ndërkohë që Barcelona ecte me marsh triumfues. Kështu mund të përmblidhet sezoni i Atletico Madridit. Tani, Rodrigo De Paul dhe shokët e tij janë të përqendruar te Botërori për Klube, edicioni i parë historik i këtij turneu.

Mesfushori argjentinas, ish-lojtar i Udinese, foli për mediat gjatë grumbullimit para sfidës ndaj PSG, të humbur thellë 4-0: “A ndjehet lodhja? Është njësoj për të gjitha ekipet që luajnë shumë kompeticione. Kjo është një ngjarje prestigjioze, një Botëror për Klube, lodhja nuk ka rëndësi, ekipi është në gjendje shumë të mirë”.

Ai shtoi: “Gjithçka varet nga mendja. Ishim përgatitur prej kohësh, e dinim që këtë verë do të luanim Botërorin për Klube. Nuk ka gjë më të bukur sesa të jesh pjesë e këtij edicioni të parë të organizuar nga FIFA, kështu që lodhja nuk duhet të na ndikojë. Atletico Madridi është këtu për të qenë protagonist”.

I pyetur nëse niveli i këtij Botërori është i krahasueshëm me atë që fitoi me Argjentinën, mesfushori shtoi: “Përvoja është gjithmonë një avantazh që e kemi, që e kam unë. Në nivel klubesh nuk është e njëjta gjë si me kombëtaren, ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, por duhet të ruash qetësinë. Me Argjentinën e humbëm ndeshjen e parë dhe pastaj fituam Botërorin e Katarit. Çdo ndeshje është si një finale, por duhet të jemi të qetë. Në kompeticione të tilla ndodhin shumë gjëra”.

Për gabimet, që nuk duhet të përsëriten: “Ka shumë gjëra për t’u përmirësuar, në të gjitha repartet. Nuk do të thoja një të vetme, nuk jam unë personi i duhur për të analizuar ndonjë gabim, sepse është çështje kolektive, me shumë aspekte. Çdo ndeshje është ndryshe dhe nuk janë gjithmonë të njëjtat gabime që të kushtojnë çdo javë. Ka edhe gjëra që nuk varen nga ne, siç na ndodhi në Champions. Duhet të përmirësohemi në gjithçka, sepse nuk kemi fituar asnjë trofe. Jemi afruar, por gjithmonë ka munguar diçka”.

Referenca ndaj Champions-it është e qartë.  Atletico Madridi u eliminua nga Real Madridi, kur një penallti e Julian Alvarez u anulua nga arbitri Marciniak pas ndërhyrjes së VAR-it.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit