Mesfushori i Bayern Munich, Thomas Müller, është ende protagonist me fanellën e bavarezëvem para lamtumirës së paralajmëruar nga klubi (e cila vjen pas Kupës së Botës për Klube). Dy gola dhe një asist për të në fitoren dërrmuese 10-0 ndaj Auckland City.
“Bëmë një ndeshje solide dhe të përqendruar, duke treguar intensitet të madh, – ishin fjalët e tij pas ndeshjes. – Mbas çdo goli ishim menjëherë gati për të shënuar sërish. Këtë fitore kaq të thellë e meritonim plotësisht. Pavarësisht vapës, e shijuam shumë këtë ndeshje, atmosfera në stadium ishte fantastike dhe fusha në kushte perfekte. Tani duhet të ruajmë këtë vrull dhe ta çojmë shpirtin e kësaj paraqitjeje në ndeshjet e ardhshme”.
Më pas, një episod i çuditshëm. Pas golit të tij të parë, arbitri senegalez Issa Sy ndaloi menjëherë festimet, duke i kërkuar që të rifillonin lojën, siç tregoi vetë Müller: “Arbitri vazhdimisht na vinte në presion. Nuk e di pse. Ndoshta është ndonjë rregull i FIFA-s. Na dërgoi menjëherë në gjysmën tonë të fushës për të vazhduar ndeshjen”.
Megjithatë, Müller theksoi se arbitri ishte “njeri i mirë”: “Pata një dialog të mirë me të, por mbi disa gjëra nuk ishim dakord”. Për shembull, te goditjet standarde, 35-vjeçari zbuloi: “Në çdo goditje këndi na mbante 5 apo 10 sekonda për të na shpjeguar që të mos mbahemi me duar, edhe pse askush ende nuk kishte bërë ndonjë gjë të tillë.
Kjo e ngadalësonte lojën. Në të njëjtën kohë, pas çdo goli nuk duhet të festonim, por menjëherë të ktheheshim në gjysmën tonë të fushës, që ai të mund të rifillonte ndeshjen. Ishte pak kontradiktor, por në një kuptim pozitiv”.







