Botërori për Klubet, komenti i ashpër i Valdanos: Një skenar shfrytëzimi, ku të shfrytëzuarit duartrokasin…

17 Qershor 2025
10:01
Alfred Lleshi
back button

Sipari i Botërorit për Klube u ngrit me barazimin mes egjiptianëve të Al-Ahly dhe amerikanëve të Inter Miami të Lionel Messi. Një kompeticion që, sipas vizionit të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, do të çojë në globalizimin e futbollit. Por jo të gjithë janë dakord me këtë ide.

Jorge Valdano, ish-futbollist dhe ish-trajner i Real Madridit, ka shprehur një opinion shumë kritik për këtë kompeticion në një editorial të publikuar në të përditshmen spanjolle “El País”: “Botërori i ri për Klubet? Tregon se si paraja sundon dhe na lë me ndjesinë se futbolli po rritet, por shpirti i tij po vuan, sepse rrënjët e tij po dobësohen. Më shumë sesa një deklaratë parimesh, ky lloj Botërori është një deklaratë interesash”.

Argjentinasi është tepër i ashpër në komentin e tij: “E konsideroj një garë të parregullt, sepse hendeku mes gjigantëve europianë dhe skuadrave që përfaqësojnë kontinentet e tjera është i pafund. Ky hendek është i madh madje edhe me Amerikën e Jugut, e cila shkëlqen me kombëtaret, sepse shumë lojtarë përmirësohen në klubet europiane, por nuk shkëlqen me klubet, ku luajnë ata që nuk kanë talentin për të kaluar oqeanin.

E panjohura, – thekson ish-legjenda e Real Madridit, – është forca kryesore narrative e këtij cirku. Pyes veten: a ka menduar dikush për tifozët? Disa ndeshje janë tërheqëse, të tjerat të mërzitshme, por mos u ngrini nga vendi, sepse në fund më të mirët do të luftojnë për lavdinë, për atë që e quajmë reputacion. Kështu biem në kurthin emocional që futbolli di ta menaxhojë shumë mirë”.

Për argjentinasin e njohur, Botërori për Klube është devijim komercial: “E duam futbollin, sepse është një tregimtar i jashtëzakonshëm, por kjo skenë është e dobët në çdo aspekt. Lëndimet muskulare janë rritur me 25% që nga viti 2020. Sa më e lodhur të jetë një skuadër, aq më pak spektakël ka. Koha për stërvitje është ulur, koha për pushim është pakësuar, koha për kujdesin ndaj shëndetit mendor është thuajse zero.

Të luash, të udhëtosh, të japësh maksimumin, këtu qëndron paradoksi i madh i futbollit modern. Një lloj pakti i heshtur që na bën të gjithëve bashkëfajtorë në këtë devijim komercial. Një skenar shfrytëzimi ku të shfrytëzuarit duartrokasin. Më të shfrytëzuarit e sistemit janë në të njëjtën kohë edhe përfituesit më të mëdhenj.

Luajnë 60 ose 70 ndeshje në vit, përballojnë fluturime transoqeanike, reklama, përpjekje fizike e psikologjike. Nuk ka pushim, por shumë prej tyre fitojnë më shumë se sa kishin ëndërruar ndonjëherë. Ankohen pak, sepse inflacioni i sistemit kujdeset për privilegjet e tyre. Askush nuk ka interes ta prishë këtë magji për aq kohë sa spektakli sjell para.

Botërori i Klubeve, si shumë shpikje të tjera të fundit, është thjesht një kapitull tjetër i oreksit ekonomik që e vë futbollin përballë vetes, – vazhdon Valdano, që më pas e thekson edhe më shumë: – Tragjedia është se nuk ka viktima të qarta që të ngrenë alarmin.

Klubet duan më shumë të ardhura, lojtarët më shumë miliona, dhe ne tifozët vazhdojmë të konsumojmë atë që e kritikojmë, sepse loja ende mban aromën e fëmijërisë, me të gjithë pafajësinë e saj. Futbolli po fillon të bëhet një simulim i vetvetes.

Botërori për Klubet nuk është rrënja e problemit, por është pasqyra e fundit e kontradiktave që e mundojnë futbollin. Një turne për të bërë para, ku të gjithë do të fitojnë, përveç tifozëve, të vetmit të pafavorizuar, të mbytur nga ndeshjet, por me gjithnjë e më pak emocione të vërteta për të festuar çdo ditë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit