Ish-trajneri i Milanit, Parmës dhe i kombëtares italiane, Arrigo Sacchi, në një shkrim për “Gazzetta dello Sport” ka shprehur mendimin e tij mbi emërimin e Gennaro Gattusos si trajner i axurrëve.
“Jam vërtet i lumtur që Federata e Futbollit zgjodhi Rino Gattuson si trajner të kombëtares, – shkruan Sacchi, – sepse kjo do të thotë që vlerat morale, fryma e sakrificës dhe përkushtimi, në këtë vend që shpesh i harron, janë ende të rëndësishme. Gattuso e ka fanellën e Italisë të tatuuar në lëkurë, është një djalë bujar, që nuk dorëzohet kurrë, ka guximin të luftojë kundër kujtdo.
Këtë e ka treguar gjatë gjithë karrierës së tij të shkëlqyer. Jam i sigurt që do t’ia dalë t’i transmetojë idetë e tij te një grupi lojtarësh që, në këtë moment, kanë nevojë për një udhëheqës, për një pikë referimi, për një drejtues që t’u tregojë rrugën drejt Botërorit”.
Sipas Sacchit, mundësia e një tjetër eliminimi as nuk duhet imagjinuar: “Unë nuk dua as ta mendoj një zhgënjim të tretë, pas asaj që ndodhi më 2018 dhe 2022. Mos bëni shaka, ju lutem”.
Sa iu përket problemeve të kombëtares, shton: “Është humbur lidhja me fanellën e Italisë, kjo është një fatkeqësi e vërtetë. Nuk ekziston më kompaktësia e të kaluarës, ftesat për në kombëtare më shumë rëndojnë sesa nderojnë.
Mirë, nëse kjo është situata, Rino është njeriu i duhur për t’ua bërë të gjithëve të qartë se çfarë atmosfere nevojitet në kombëtare. Lojtarët duhet ta kuptojnë se të veshësh fanellën e Italisë është gjëja më e madhe që mund të të ndodhë në karrierë, nuk ka asgjë më të bukur dhe më shpërblyese. Kur hyn në fushë për të përfaqësuar Italinë, përfaqëson një popull të tërë”.
Në fund, një këshillë për Gattuson: “Kur të bëjë listën e të grumbulluarve, të thërrasë lojtarë të besueshëm. Kjo do të thotë që nuk duhet të shohë vetëm cilësitë teknike, por edhe ato njerëzore. Së pari, të krijojë një grup njerëzish që duan të qëndrojnë bashkë, që të argëtohen gjatë grumbullimit, që të jenë miq. Ana njerëzore është themelore dhe jam i sigurt që Gattuso, që vjen nga një eksperiencë e rëndësishme si futbollist, do ta ketë këtë prioritet”.







