Si ta bindim Bayer Leverkusen ta lërë të lirë Granit Xhakën? Kjo është pyetja kryesore në shtëpinë e Milanit, këto orë. Gjermanët, gjatë ditëve të fundit, kanë humbur shumë elementë thelbësorë të skuadrës, si nga ana teknike, ashtu edhe e udhëheqjes: nga Tah te Frimpong, duke kaluar te talenti Wirtz, pa harruar trajnerin Xabi Alonso. Humbja edhe e një lojtari me karizmën e Xhakës, me një rëndësi të madhe taktike, do të ishte e tepërt.
Megjithatë ekziston një çelës në negociata, që i favorizon kuqezinjtë. Milani ka marrë pëlqimin e lojtarit dhe këtë javë do të paraqitet me ofertën e parë; rreth 10 milionë euro, plus bonuse. Gjermanët do të kërkojnë më shumë, sepse është e vërtetë që kapiteni i kombëtares zvicerane do të mbushë 33 vjeç në shtator, por ka ende edhe tri vite kontratë.
Nga ana e Milanit, paga e lojtarit është e përballueshme (2.2 milionë euro) dhe sipas llogaritjeve të klubit mund të bashkëjetojë me Modric, Fofana e një emër tjetër që pritet të vijë nga merkatoja verore.
“Djalli” ka edhe një tjetër çelës në negociata. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin gjerman Malick Thiaw, që Bayer Leverkusen e ka futur në listën e dëshirave për të zëvendësuar Tah. E do me ngulm këtë mbrojtës, edhe për çështje të listës së Champions-it, duke qenë në kërkim të lojtarëve të rritur në akademitë gjermane.
Është e vështirë të mendohet se Thiaw mund të përfshihet realisht si pjesë e shkëmbimit për Xhakën. Më e besueshme është që të dyja tratativat të ndikojnë mbi njëra-tjetrën dhe të mund ta lehtësojnë marrëveshjen. Leverkusen e vlerëson mbrojtësin 20 milionë euro, ndërsa Milani, vitin e kaluar kërkonte 35 milionë.







