Huijsen: Jemi Real Madridi, duhet të fitojmë gjithmonë. Presioni? As që e mendoj fare…

18 Qershor 2025
11:52
Alfred Lleshi
back button

Dean Huijsen, një nga fytyrat e reja të Real Madridit, foli në prag të debutimit në Botërorin për Klube, duke treguar entuziazëm të madh dhe pjekuri të admirueshme. “Mezi po presim të fillojmë, jemi Real Madridi dhe objektivi ynë është të fitojmë”, – deklaroi me vetëbesim mbrojtësi i ri, ish-lojtar i Romës dhe Juventusit.

Ai theksoi se është përshtatur shpejt në dhomat e zhveshjes së “Los Blancos”: “U gjenda menjëherë mirë me shumë shokë skuadre, është një grup i madh, i bashkuar dhe i përulur. Të gjithë kanë dëshirë të punojnë, kjo është gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje. Janë të gjithë njerëz të mirë”.

Për trajnerin e ri, Xabi Alonso, tha: “Këmbëngul shumë mbi idenë e tij të lojës, të cilën përpiqemi ta përvetësojmë çdo ditë. Duam të fillojmë sa më parë për ta vënë në praktikë”.

Huijsen foli edhe për Franco Mastantuono, përforcimin e ardhshëm të Real Madridit: “Besoj se të gjithë kanë parë diçka nga ai. Është i ri, me shumë potencial. Mezi po presim që ta njohim nga afër”.

Në fund, mbi presionin e të veshurit të fanellës së bardhë: “Sinqerisht, nuk më intereson kjo pjesë. Jam këtu për të luajtur futboll, për të bërë atë që më pëlqen dhe ndihmuar skuadrën. Niveli i lojtarëve këtu është shumë i lartë dhe e kupton menjëherë kur je në fushë me ta. Kush më ka impresionuar më shumë? Të gjithë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit