Xabi Alonso nuk ishte i kënaqur me atë që ndodhi në ndeshjen e tij të parë zyrtare si trajner i Real Madridit (1-1). Këto ishin reflektimet e tij: Penalltia e Asencios: “Ishte një episod që nuk e pashë shumë mirë, por (në fund e tha) mund të ishte shmangur. Penalltia ndaj Fran, po, më është dukur e qartë”.
Performanca e skuadrës: “Na munguan shumë gjëra në pjesën e parë. Pastaj më pëlqeu reagimi në të dytën. Kishim më shumë kontroll loje, por ky është një proces që kërkon kohën e vet. Kushdo që mendonte se gjithçka do të funksiononte në mënyrë perfekte që në ditën e parë…”
Zëvendësimi i Asensios: “Ka qenë me antibiotikë këto ditë dhe ka vuajtur shumë për këtë arsye. Prandaj edhe e zëvendësova. Kishte shumë vapë. Nuk është justifikim, por nuk është orari më i mirë për të luajtur, megjithëse e dimë pse u luajt në këtë orar. Edhe Vinicius pati shqetësime që nga minuta e 70-të. Edhe Al Hilal e mbylli krejtësisht i shteruar fizikisht”.
Debutimi i Trent dhe Huijsen: “Jam i kënaqur me ta dhe i përgëzoj, sepse ishte një ditë e veçantë për të dy. Dean ishte shumë mirë, Trent e nisi më ngadalë, por u përmirësua. Të dy na sjellin rritje të rëndësishme në cilësi”.
Mungesa e Mbappé: “Nuk e dimë nëse do të jetë apo jo për ndeshjen e dytë, duhet të shohim si do të rekuperohet në ditët në vijim. Ka pasur një proces viral të rëndësishëm, ndaj do të shohim”.
Mastantuono: “Ideja është që të na ndihmojë që nga fillimi, kemi shumë pritshmëri për të. Koha do të tregojë, por sigurisht që një lojtar 17-18 vjeç mund të jetë titullar te Real Madridi”.
Më shumë analizë mbi ndeshjen: “Rezultati ishte për të ardhur keq, nuk arritëm të fitonim, edhe pse në pjesën e dytë ishim shumë më mirë. Pjesa e parë nuk më pëlqeu, por do të na shërbejë për të insistuar te gjërat që duhet të përmirësojmë. Në pjesën e dytë patëm më shumë ekuilibër. Në pjesën e parë donim të luanim më shpejt, por e humbnim topin. Na u desh kohë për ta rregulluar presionin dhe në pjesën e dytë u bëmë më të mirë përmes zotërimit të topit”.
I frustruar nga ky lloj debutimi: “Nuk pata frustrim. Kisha një ide tjetër loje, mund të kishim bërë më mirë. E dija që ky proces do të kërkonte kohë. Duhet të vazhdojmë të bëjmë edhe gabime, por t’i korrigjojmë dhe mos t’i përsëritim. Në pjesën e dytë pashë një reagim të skuadrës. Gjithçka kërkon kohë dhe përsëritje që të rrënjoset më thellë”.







