Flick nuk ia prish pushimet greke, Ter Stegen nuk largohet. Beteja për portën e Barcelonës nis në korrik

21 Qershor 2025
14:39
Alfred Lleshi
back button

Marc-André ter Stegen, i lidhur ngushtë me gjithçka që po ndodh te Barcelona, nga afrimi i Joan Garcia deri te marrëveshja verbale me Nico Williams, po pushon në bregdetin grek me planin e vetëm për të mbërritur në formë në “Ciutat Esportiva” të “Sant Joan Despí” më 13 korrik.

Aty do të nisë zyrtarisht faza përgatitore dhe kapiteni i Barcelonës nuk ka asgjë tjetër në mendje, përveçse të punojë për të qenë portieri titullar sezonin e ardhshëm. Megjithatë, ideja e Hansi Flick duket se është tjetër, edhe pse ende nuk ka pasur asnjë bisedë midis trajnerit dhe portierit gjerman, i cili mbushi 33 vjeç më 30 prill.

Të dy kanë një bisedë të pashmangshme përpara, sidomos pas firmës së Joan Garcia dhe ndryshimeve që mund të sjellë kjo në hierarkinë e portës blaugrana. Megjithatë, Flick e ka të qartë se në futboll ekzistojnë kode që duhen respektuar.

Trajneri nuk dëshiron ta shqetësojë Ter Stegen gjatë pushimeve dhe nuk ka ndërmend ta telefonojë, ashtu siç bëri për shembull ish-trajneri i Polonisë, Probierz, me Robert Lewandowskin për t’i komunikuar heqjen e shiritit të kapitenit në kombëtare. Sulmuesi e bëri të qartë që meritonte një bisedë sy më sy.

Këtë mendon edhe Flick. Për çështje të tilla duhet dialog personal, përveç nëse është vetë Ter Stegen që ka shqetësime të menjëhershme dhe vendos të telefonojë trajnerin. Gjithsesi nuk ka asnjë shenjë për këtë, duke parë sa i qetë po kalon pushimet portiere gjerman, aktiv edhe në Instagram, duke postuar foto nga Greqia, me pishinë dhe detin në sfond.

Pra, mbeten edhe tri javë deri në takimin e parë mes njeriut kryesor të pankinës blaugrana dhe kapitenit të parë. Një takim ku Flick do të flasë aq gjatë sa të jetë e nevojshme për t’i dhënë shpjegimet që mendon se i takojnë një lojtari që ka mbërritur tashmë në sezonin e tij të 11-të te Barcelona.

Ter Stegen, i cili pas 8 muajsh jashtë fushave për shkak të këputjes së tendinit rotulian të gjurit të djathtë, luajti vetëm në dy ndeshje (kundër Valladolid dhe Villarreal), pasi mori lejen mjekësore. Ai vazhdon të besojë plotësisht tek vetja. Me kontratë të vlefshme deri në vitin 2028, portieri gjerman ka dhënë udhëzime që të mos dëgjohet asnjë ofertë.

Ai është i bindur se Flick nuk do t’i thotë që nuk bën pjesë në planet e tij dhe se do ta fitojë konkurrencën me Joan Garcia. Nuk ka ndërmend të largohet nga Barcelona dhe mendja e tij është e përqendruar të jetë portieri titullar i Gjermanisë në Botërorin 2026.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit