Mirlind Daku shkëlqeu në sezonin e fundit me Rubin Kazan, duke shënuar 15 gola në 30 javë në kampionat, golashënuesi i dytë më i mirë, pas M. A. Ugalde Arce, sulmuesi i Spartak Moscow me 17 gola.
Forma e mirë e sulmuesit kuqezi nuk kaloi pa u vënë re nga disa klube të njohura, njëri prej tyre ishte edhe Zenit. Gjiganti rus ishte shumë pranë transferimit të sulmuesit kuqezi për 8 milionë euro, shifër e kënaqshme për Rubin Kazan, ndërsa vetë Daku do të paguhej 3 milionë euro në sezon.
Kur pritej zyrtarizimi, marrëveshja dështoi. Në një intervistë për “Gazeta.ru”, trajneri i njohur rus, tashmë në rolin e analistit, Rinat Bilyaletdinov, ka zbuluar se transferimi i Dakut tek Zenit dështoi për shkak të lojtarëve serbë që luajnë në këtë ekip, të cilët dolën hapur kundër transferimit të sulmuesit shqiptar. Tek Zenit luajnë qendërmbrojtësi serb Strahinja Erakovic, mbrojtësi i djathtë Ognjen Mimović dhe mesfushori Sasa Zdjelar.
Mediat ruse shkojnë edhe më tej duke thënë se një tjetër arsye e dështimit të transferimit të Dakut tek Zenit është edhe tatuazhi që sulmuesi shqiptar ka në shpinë “Katana”, dedikuar komandant Agim Ramadanit, heroit të UÇK-së.
Pavarësisht dështimit të transferimit tek Zenit, Daku vazhdon të mbetet një emër shumë i përmendur në merkato dhe largimi i tij këtë verë nga Rubin Kazan duket i sigurt.







