Rummenigge e pranon: Pagat e lojtarëve po bëhen problem. Wirtz? Ishte zgjedhje e tij

23 Qershor 2025
7:51
Alfred Lleshi
back button

Pas deklaratave që qarkulluan dje lidhur me pagat e 4-5 lojtarëve, që duhet të ishin më të ulëta, Karl-Heinz Rummenigge, anëtar i bordit drejtues të Bayern Munich që nga viti 2023, ka theksuar edhe një herë disa koncepte në një intervistë për “BILD”, për të shpjeguar problemet që klubi ka pasur kohët e fundit.

Nga Thomas Müller te Leroy Sané, disa lojtarë këtë verë do të largohen, pas Botërorit për Klube. Kësaj situate i shtohet edhe sinjali i qartë i dërguar nga “jo”-ja e Florian Wirtz, i cili zgjodhi të kalojë te Liverpool.

Në aspektin ekonomik, Bayerni ka filluar të shkurtojë diçka. Rummenigge shpjegoi: “Problemi kryesor janë pagat e larta. Edhe Bayerni e ndien këtë. Sa iu përket pagave të lojtarëve tanë, kemi qenë mjaft bujarë. Duhet të jemi kritikë për këtë”.

Për refuzimin e Florian Wirtz, që ka shqetësuar tifozët, ai sqaroi: “Bëmë gjithçka që ishte e mundur. Në këtë rast, askush nuk ka bërë gabime. Është një vendim personal i Florian dhe duhet ta pranojmë”.

Prioriteti i klubit tani është të gjejë një lojtar për repartin e sulmit, ku edhe portugezi i Milanit, Rafael Leão, është futur në shënjestrën e bavarezëve. Aq sa drejtori sportiv, Max Eberl, është larguar këto orë nga SHBA, ku Bayerni po merr pjesë në Botërorin për Klube, për t’u marrë personalisht me merkaton.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit