Janë orë të nxehta rreth emrit të Nico Williams. Presioni i Barcelonës u bë i qartë nga fjalët e drejtorit sportiv Deco, i cili pranoi përpjekjen që klubi blaugrana do të bëjë për ta afruar, por tifozët baskë nuk e kanë pritur mirë këtë situatë. Aq sa në Krajën Baske, pikërisht në Barakaldo, dikush ka menduar të fshijë muralin e dedikuar atij dhe vëllait të tij Iñaki. “Ik ose qëndro, nuk të ka munguar respekti”, – ishte mbishkrimi i vendosur mbi të njëjtin mur.
Tani, Athletic Club merr qëndrim me një komunikatë për të dënuar gjestin: “Të mbështetësh Athletic do të thotë të veprosh me respekt. Dinjteti i Athletic qëndron te njerëzit e tij, te respekti dhe koherenca me vlerat e veta.
Dinjiteti i një klubi është dinjiteti i njerëzve që e përbëjnë atë dhe matet nga aftësia e tyre për të vepruar në përputhje me vlerat e tyre, pa rënë në provokime apo pa e ulur veten, gjithmonë me kokën lart. Respekti është një nga shtyllat themelore të Athletic Club.

Vera sapo ka filluar dhe publikimet mbi Nico Williams, lojtar me kontratë me Athletic deri në vitin 2027, janë të shumta në media, si dhe në rrjetet sociale. Bashkë me to, edhe një pafundësi komentesh dhe reagimesh nga më të ndryshmet. Nico është një nga ne. Një lojtar i rritur në Lezama, i dashur në dhomën e zhveshjes dhe i mbështetur nga tifozët e tij.
Dinjteti i një klubi reflektohet edhe në mënyrën se si i mbron lojtarët e vet. Kështu që kushdo që ka fshirë imazhin e Nicos nga murali i artistit Carlos López në Barakaldo, nuk përfaqëson Athletic. Dhe nëse mendojnë se janë pjesë e kësaj familjeje, duhet ta dinë se gabohen. Të mos respektosh një nga ne do të thotë të mos respektosh vetë Athletic.
Klubi e kupton që situata aktuale mund të shkaktojë pakënaqësi te tifozët e Athletic, veçanërisht kur mvishet nga zëra, arroganca ose përçmimi për identitetin tonë, por të jesh Athletic do të thotë edhe të dish të ruash qetësinë. Të mbështetësh Athletic do të thotë të veprosh me respekt, të mos biesh në provokime ose të humbasësh edukatën.

Klubi do t’i mbrojë interesat e veta me vendosmëri dhe forcë kudo që të jetë e nevojshme, gjithmonë besnik ndaj parimeve të veta. Athletic është shumë më tepër se një shumë individësh. Është një familje, një skuadër, një komunitet i bashkuar nga mënyra e veçantë për ta kuptuar futbollin.
Dhe është gjithashtu një projekt fitues, me një brez lojtarësh të përkushtuar, me tifozëri shembullore dhe identitet që nuk mund të blihet dhe as të shitet. Athletic ka të tashme dhe të ardhme. Ky klub do të ecë gjithmonë përpara, me kokën lart, me respekt dhe krenari. Me ata që janë dhe ata që do të vijnë”.
Athletic Club tashmë ka kontaktuar artistin e muralit, Carlos López, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur dhe duke e ndihmuar në gjithçka që i nevojitet, të mund ta rikthejë imazhin e Nico Williams në mural, së bashku me vëllain e tij Iñaki.







