Barella: Jemi të lodhur, por e kemi zemrën plot. Me Chivu mund të bëjmë diçka të bukur

24 Qershor 2025
8:44
Alfred Lleshi
back button

Nicolò Barella ka dhënë një intervistë të gjatë për DAZN, në të cilën flet edhe mbi objektivin në Botërorin për Klube: “Sloganin ‘duhet të garojmë gjithmonë’ e ndaj 100%, ishte pasqyra e sezonit të kaluar. Nuk arritëm të fitonim, por ishte një sezon që na la shumë, si gjëra negative, ashtu edhe pozitive. Tani jemi këtu për t’u ngritur sërish dhe për të bërë më të mirën e mundshme”.

Si ndiheni nga ana mendore?
Nga ana fizike dhe mendore ndjej pak lodhje. Ka qenë një sezon i bukur nga ana e konkurrencës, sepse kemi luftuar në të gjitha frontet. Nuk fituam trofe dhe kjo të lë një shije të keqe. Jam këtu me dëshirën për të bërë mirë, për të gjetur kokën dhe këmbët e duhura. Trajneri i ri po na ndihmon shumë, është shumë empatik. Ka pasur një ndryshim dhe duhet gjetur kompromisi i duhur mes gjërave pozitive e negative. Në këtë aspekt, trajneri i ri ka qenë i shkëlqyer.

Sa gjatë do t’ju qëndrojë në mendje finalja e Champions-it?
Do të mbetet në mendje, është gjithmonë humbje që bën pjesë në rrugëtimin e një karriere. Është një humbje e rëndësishme dhe bezdisëse. Megjithatë, si në jetë, ashtu edhe në futboll duhet të dish të ngrihesh sërish dhe ne e kemi treguar këtë. Humbëm dy kampionate për një pikë, dy finale Champions-i, dhe në mes kemi fituar gjithashtu. Kemi kuptuar që futbolli është plot ulje-ngritje, ndaj duhet të punosh gjithmonë më shumë për të arritur të fitosh trofe. I tillë duhet të jetë mentaliteti ynë.

Si e përjetuat largimin e Inzaghit?
Lajmi ishte i çuditshëm, pas 4 vitesh më ishte bërë zakon të qëndroja me të. Te Cagliari kam përjetuar shumë ndërrime trajnerësh, edhe tek Interi. E di si funksionon futbolli, nuk them që jam mësuar, por e di. E vetmja gjë që kam bërë është ta falënderoj Inzaghin dhe stafin e tij për 4 vite fantastike, vite rritjeje dhe emocionesh. ‘Faleminderit’ është fjala më e drejtë.

Çfarë po ju jep Chivu?
Unë e njihja trajnerin, kishim folur disa herë pas ndonjë ndeshjeje stërvitore në “Appiano”, kur ai drejtonte të rinjtë. Kisha parë tek ai një empati të madhe ndaj lojtarëve, di t’i kuptojë nevojat. Është një cilësi që nuk e kanë të gjithë, shumë e rëndësishme. Në një moment të vështirë po jep ndihmë të madhe, shtytje. Është një tip i drejtpërdrejtë, ka shumë dëshirë për të bërë mirë dhe për të fituar. Kemi mundësinë të bëjmë diçka të bukur bashkë.

Na trego një episod për të…
Më ka mbetur në mend fakti se deshi që ne si grup t’i bënim duartrokitje Valentin-it pas golit që shënoi (kundër Urawa). Është një i ri që kaloi periudhë të vështirë për shkak të dëmtimit, gjëra të tilla mund të të ndryshojnë karrierën. Teksa e pa duke buzëqeshur sërish, pas atyre muajve të vështirë, ishte një gjë që më preku.

A doni ta mbani gjallë vetëdijen se jeni ndër më të mirët në botë?
Nuk mendoj se grupi është ndarë, por pas disfatave krijohen pakënaqësi. Kur fiton, gjithçka shkon mirë. Nuk mendoj se është dikush në grup që nuk dëshiron të mirën e Interit. Ndoshta duhet të gjejmë forcën tonë në fushë, pra të mos pësojmë gola. Kjo na ka munguar kohët e fundit dhe po punojmë për ta rigjetur.

Si e vlerësoni paraqitjen tuaj personale?
Mendoj se gjithmonë mund të bësh më mirë, jam shumë autokritik. Sigurisht, fakti që kam luajtur shumë ndeshje nuk ka qenë i lehtë nga ana mendore dhe fizike. Në fund të sezonit ndoshta nuk isha më i kthjellët, por e përsëris: nuk jam një fenomen nga ata që vendosin ndeshjet i vetëm. Kam nevojë për skuadrën, kam nevojë të ndihmoj shokët. Nuk më intereson lavdia personale, dua t’i ndihmoj bashkëlojtarët, ekipin. E di që njerëzit janë kërkues, mund të më kritikojnë, por jam i qetë për aq kohë sa jam mirë me shokët e mi. Çfarë ndodh jashtë nuk mund ta kontrollojmë.

Çfarë do t’iu thoni tifozëve?
Do t’iu kërkoj të jenë pranë nesh, të mbushin stadiumin, siç kanë bërë gjithmonë këto vite, si në momentet e mira, ashtu edhe në ato të vështira. Do të japim më të mirën. Ju them të kenë besim te trajneri dhe te klubi, që ka treguar se di të lëvizë mirë.

Çfarë mendoni për të rinjtë, që stërviten me ju?
Luis Henrique dhe Sucic janë lojtarë cilësorë, që mund të na ndihmojnë shumë. Carboni e njihja që më parë. Pastaj e dimë që Serie A është ndryshe nga kampionatet e tjera, duhet kohë për t’u përshtatur. Botërori për Klube mund t’i ndihmojë të kuptojnë mekanizmat e rinj. Luis është ai që na ka munguar në disa momente, gjatë sezonit, lojtari që driblon, që nuk ka frikë të kërkojë një kundërshtar. Sucic ka një cilësi të jashtëzakonshme në pasim dhe në vizionin e lojës. Carboni ka shumë cilësi me topin në këmbë.

A ju pëlqen mesfusha me katër?
Po, po. Kam luajtur 7 vite me atë modul, me kombëtaret e moshave, e njoh mjaft mirë. Duhet të gjejmë mekanizmat e duhur, jam i sigurt që trajneri do t’i gjejë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit