PSG humb gjyqin, do t’i paguajë Buffonit 250.000 euro për një klauzolë në kontratë

25 Korrik 2025
8:30
Alfred Lleshi
back button

Një vendim i Gjykatës së Apelit në Paris, i dhënë më 10 korrik, e ka detyruar PSG t’i paguajë 250.000 euro Gianluigi Buffonit për shkak të një mosmarrëveshjeje që lidhet me kontratën e firmosur nga ish-portieri italian.

Legjenda e portës së Italisë dhe Juventusit, që luajti vetëm një sezon me klubin parizien (2018–2019), kishte marrë në vitin 2021 një njoftim nga tatimet italiane për detyrimin prej mbi 1.2 milionë euro.

Buffon kërkoi zbatimin e një klauzole të përfshirë në kontratën me PSG-në. Klubi parizien angazhohej të mbulonte 50% të çdo shume që autoritetet tatimore italiane do të kërkonin për të ardhurat e vitit 2018, deri në maksimumin prej 250.000 euro neto. Kjo shumë, sipas kontratës, do të konsiderohej si “bonus kthimi në atdhe”.

Pas një dënimi fillestar të PSG-së nga gjykata e punës, klubi vendosi ta apelonte vendimin, por Gjykata e Apelit e konfirmoi. Episod ky që mbyll me shije polemizuese aventurën jo fort të ndritur të Buffonit në “Ville Lumière”.

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit