“Nuk pata frikë në ‘Klasiken’ e kokës së derrit”; 25 vite nga “tradhtia” e Luis Figos ndaj Barcelonës

25 Korrik 2025
8:36
Alfred Lleshi
back button

Luis Figo u prezantua si lojtar i ri i Real Madridit më 24 korrik 2000, pas transferimit të bujshëm nga Barcelona, pikërisht 25 vite më parë. Operacioni u mbyll pasi Real Madridi pagoi klauzolën e lirimit të lojtarit portugez, e cila në atë kohë ishte 10 miliardë peseta, që në vlerën e sotme korrespondon me rreth 60 milionë euro.

Ky transferim e bëri atë jo vetëm blerjen më të shtrenjtë të kohës, por edhe më të bujshmen në historinë e marrëdhënieve mes Real Madridit dhe Barcelonës. Figo, që sot është ambasador i “Betfair” në Spanjë, e sheh me qetësi atë vendim që e ktheu në një figurë mitike, çka shkonte përtej meritave të tij në fushën e lojës.

Që nga ai moment dhe deri në largimin e tij nga Real Madridi në vitin 2005, të gjitha “El Clásico” u zhvilluan nën hijen e polemikës që krijoi transferimi i tij, sidomos ato që luheshin në “Camp Nou”. Mikpritja armiqësore që mori në Barcelonë tashmë është pjesë e kujtesës kolektive të këtyre dueleve, me skena ikonike si hedhja e sendeve në fushë, nga kokë derri deri te shishe qelqi dhe telefona celularë.

“Nuk pata frikë për integritetin tim fizik, por gjithmonë kam pasur shqetësim se mund të ndodhte diçka jashtë fushës. Në fund të fundit, unë isha aty vetëm për të luajtur futboll dhe kjo nuk më frikësonte. Sidoqoftë, në kushte të tilla, gjithmonë mund të ndodhte diçka e paparashikuar. Unë shkoja për të luajtur me mentalitetin tim, për të bërë punën sa më mirë. Për fat të keq, nuk ishte imazhi më i mirë për t’u parë në një ambient sportiv”, – kujton Figo për ato ndeshje në Barcelonë.

Përpara transferimit te Real Madridi, tifozët e Barcelonës e kishin shumë për zemër Figon, i cili ua kishte kthyer me të njëjtën dashuri, sidomos në festimet pas fitimeve të trofeve. Një moment i paharruar ishte gjatë festës së La Liga-s, kur ai, nga ballkoni i “Generalitat” (qeverisë katalanase) nisi një brohoritje polemizuese kundër Real Madridit.

Figo, sot e minimizon atë episod: “Ajo brohoritje ishte një shaka, në fund të fundit. Atë vit fituam La Liga-n dhe gjatë gjithë sezonit kishte shumë ankesa nga Real Madridi, që thoshte se ne ishim të favorizuar. Ishte thjesht një anekdotëqë mbeti në histori. Njerëzit e shohin nga një këndvështrim që iu intereson, për mirë apo për keq. Sidoqoftë, nuk ishte gjë tjetër veçse një episod i vogël”.

Në fund, Figo foli edhe për fanellat që ka veshur gjatë karrierës së tij: “Ka pasur shumë fanella që më kanë pëlqyer. Ajo e 100-vjetorit të Barcelonës ishte e veçantë. Pastaj, edhe ajo e 100-vjetorit të Real Madridit ishte shumë e bukur, sepse përfaqësonte një përvjetor shumë të veçantë.

Kombinimi i kaltër dhe zi i Interit është gjithmonë elegant, edhe jeshilja e Sportingut të Lisbonës më ka pëlqyer. Çdo vit më ka pëlqyer fanella me të cilën kam luajtur. Në rastin tim, është e veçantë që kam luajtur me fanellat e 100-vjetorit të Barcelonës, Real Madridit dhe Interit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit