Bergomi “skanon” Serie A: Napoli, sërish favorit për titullin. Duhet të synojë edhe fitimin e Champions-it

25 Korrik 2025
8:43
Alfred Lleshi
back button

Ndër të ftuarit e “Giffoni Film Festival” këto ditë është edhe ish-mbrojtësi dhe aktualisht komentatori televiziv Beppe Bergomi. Ai është intervistuar nga “Il Mattino”, teksa trajtoi disa tema, duke nisur nga një panoramë e gjerë:

“Në Europë, futbolli italian po vuan. Jemi si një shtëpi me çati prej xhami, sheh yjet, por nuk arrin t’i prekësh kurrë… Napoli është skuadra e vetme e jona që mund të qëndrojë në nivele shumë të larta, por duhet të mendojë ta luajë Champions-in me synimin për ta fituar. Vetëm kështu je konkurrues”.

Edhe për titullin kampion në Serie A: “Napoli është një hap përpara të tjerëve”.

Bergomi komentoi gjithashtu edhe merkaton, si në rastin e mundshëm të transferimit të Lookman nga Atalanta tek Interi: “Në përgjithësi, ata që janë larguar nga Atalanta e kanë pasur të vështirë të përshtaten. Duke e thënë këtë, mund të jetë një blerje e dobishme për Interin dhe shpresoj ta shoh me fanellën zikaltër. Pastaj do të duhet të ndryshosh sistem loje, sepse nuk mund të lësh jashtë as Lautaron dhe Thuramin”.

A do ta ngrenë nivelin e Serie A lojtarë si De Bruyne dhe Modric? Ja si përgjigjet Bergomi: “Do të bëjnë mirë, sepse janë lojtarë me cilësi, tek ne ritmet janë më të ulëta”.

Bergomi komentoi edhe largimin e Retegui nga Italia (ndoshta edhe nga kombëtarja italiane) drejt Arabisë: “Në disa kampionate, diferencën e bën aspekti mendor. Gattuso do ta mbikqyrë dhe do ta mbajë nën kontroll, do të jetë sërish i dobishëm për kombëtaren”.

Duke folur për Gattuson, Bergomi komentoi edhe kursin e ri të kombëtares italiane: “Është zgjedhja e duhur, njeriu i përshtatshëm, sepse duhet t’i japim kombëtares ndjesinë e përkatësisë. Mos mendojmë vetëm për karakterin e tij, Gatuso iu jep edhe lojë skuadrave që drejton. Nuk besoj se do të shkojmë drejtpërdrejt në Kupën e Botës, por përmes ‘play off’-it mund t’ia dalim”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit