Mesfushori i Gjermanisë, Aleksandar Pavlovic, ka rinovuar kontratën e tij me Bayern Munich deri në vitin 2029. Njoftimi vjen vetëm pesë ditë pasi 20-vjeçari u la jashtë nga Euro 2024 për shkak të infeksionit në bajame. Ai u zëvendësua në skuadër nga Emre Can.
Pavlovic ka qenë me Bayernin që kur ishte shtatë vjeç dhe ishte një nga lojtarët më të mirë këtë sezon, ku në 19 ndeshje në Bundesliga realizoi 2 gola. Kontrata e tij e mëparshme me Bayern do të përfundonte në vitin 2027, por palët ranë dakord të shtyjnë atë me dy vite.
“Për fat të keq, ky infeksion më ka mohuar ëndrrën time për të luajtur Kampionatin Europian në shtëpi, gjë që është shumë zhgënjyese. Por, nga ana tjetër, jam i emocionuar që kontrata ime me Bayern është zgjatur deri në vitin 2029”, tha mesfushori i talentuar gjerman.
“Kjo tregon se klubi ka vendosur të më besojë dhe unë jam i etur për ta shlyer këtë besim në fushë. Bayern është shtëpia ime, këtu jam rritur. Jam krenar, i lumtur dhe mirënjohës. Dua të fitoj trofe me ekipin dhe vazhdoj zhvillimin tim personal”, tha Aleksandar Pavlovic.