Barcelona ngulmon për blerjen e Cancelos, ja çmimi i panegociueshëm që duhet të paguajë

17 Qershor 2024
15:32
Alfred Lleshi
back button

Barcelona e ka seriozisht për Joao Cancelo. Klubi katalanas dëshiron të startojë nga krahu i djathtë për sezonin e ardhshëm. Pas një sezoni huazim nga Manchester City, blaugranët synojnë ta blejnë ish-anësorin e Juventusit përpara sezonit të ardhshëm, duke i ofruar atij një kontratë shumëvjeçare. Ndryshimi i drejtimit teknik nuk i ngadalëson planet e klubit të presidentit Laporta, i cili synon t’i japë Hansi Flick një mbrojtës të cilësisë më të lartë.

Vazhdojnë negociatat me skuadrën e trajnerit Pep Guardiola, që do të dëshironte ta shiste lojtarin portugez, i cili nuk do të gjente hapësirë t​e “qytetarët” anglezë, por në të njëjtën kohë duan të fitojnë para nga shitja e tij. Sipas edicionit të sotëm të “The Sun”, klubi nga “Etihad” nuk do të donte të hiqte dorë nga Cancelo nën 25 milionë paund. Në fakt, për një shumë më të ulët, klubi anglez nuk do të ishte gati ta negocionte shitjen e mbrojtësit portugez.

Një anësor me cilësi të madhe dhe besueshmëri absolute, Joao Cancelo ishte një gur themeli i skuadrës së Xavi. Trajneri spanjoll e përdori atë në 42 raste gjatë sezonit, mes kampionatit dhe Ligës së Kampionëve, me lojtarin që ia ktheu nderin duke shënuar në katër raste dhe dhënë asistime. Sigurisht, pati edhe momente të errëta, si në rastet e penalltive të shkaktuara prej tij, të cilat e penalizuan Barcelonën në sfida vendimtare.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit