Një tjetër pengesë për rihapjen e “Spotify Camp Nou”. Nëse disa ditë më parë u mësua se stadiumi nuk do të mund të hapej për zhvillimin e trofeut “Joan Gamper”, siç ishte planifikuar për këtë të diel, tani klubi është i ndërgjegjshëm se nuk do të ketë kapacitetin e dëshiruar as për ndeshjen e parë në La Liga, të parashikuar për më 14 shtator.
Ideja fillestare e Barcelonës ishte të priste 60.000 tifozë, por kjo është përjashtuar tashmë. Klubi ka dorëzuar një kërkesë pranë bashkisë për të marrë lejen e hapjes së fazës së parë, që do të lejojë praninë e 30.000 spektatorëve për sfidën kundër Valencias. Kjo kërkesë vlen edhe për javën e dytë të kampionatit, ndaj Getafes, një javë më vonë. Në këtë fazë do të hapet vetëm tribuna kryesore dhe një prej tribunave anësore.
Më pas do të hyhet në fazën e dytë, ku kapaciteti do të zgjerohet në 45.000 vende për ndeshjet e mëvonshme në La Liga dhe për ato në Champions League. Vetëm në fazën e tretë do të arrihet kuota e parashikuar prej 60.000 vendesh. Përgjigjja nga bashkia pritet javën që vjen.
Problemi qëndron te fakti se java e parë e Champions-it do të luhet mes datave 16 dhe 18 shtator, pra menjëherë pas ndeshjes së parë të La Liga-s. Nëse Barcelona do të luante në shtëpi në atë javë të Champions-it, do të detyrohej të priste vetëm 30.000 tifozë. Klubi katalanas ka kërkuar nga UEFA, ashtu siç bëri edhe La Liga, që të mos i caktohet ndeshje si pritës në atë raund. Deri tani, nuk ka ende një përgjigje nga UEFA.







