PSG po e trajton si “gomë rezervë”, ja dy gjigantët europianë që vigjëlojnë për Donnarumma

8 Gusht 2025
9:28
Alfred Lleshi
back button

Javët deri në fund të merkatos pritet të jenë me tension të lartë në shtëpinë e PSG-së. Klubi parizien ka mbyllur marrëveshjen që do të sjellë në kryeqytet Lucas Chevalier, i cili gjatë tri viteve të fundit ka mbrojtur portën e Lille. Kampionët e Europës në fuqi, tani duhet të vendosin për të ardhmen e Gianluigi Donnarumma.

Portieri i kombëtares italiane ka hyrë në listën me 30 kandidatë për “Topin e Artë” 2025 dhe natyrisht, edhe në atë për çmimin “Yashin”, por 40 milionët që Al-Khelaifi do të paguajë për Chevalier tregojnë qartë se PSG ka plane të tjera për të ardhmen.

Kontrata e Gigio skadon në vitin 2026 dhe negociatat për rinovim janë në ngërç total. Largimi, pra, duket gjithnjë e më i mundshëm, por kampionët francezë duhet të marrin një vendim kyç për mënyrën se si do të ndodhë: të përpiqen të përfitojnë financiarisht në këtë merkato, ose të presin skadencën natyrale të kontratës, duke e mbajtur edhe një vit, por duke e humbur më pas me parametër zero.

E sigurt është që Donnarumma-s nuk i mungojnë admiruesit. Në fillim u përfol për Chelsea, por pistat më të nxehta aktualisht janë ato që e çojnë te Bayern Munich dhe, mbi të gjitha, Manchester City. Nuk është sekret që Pep Guardiola e vlerëson shumë portierin italian.

Edhe pse klubi nga “Etihad” ka investuar së fundi në rikthimin e James Trafford, i rritur në akademinë e City, para se të kalonte te Burnley në vitin 2023, mundësia për ta pasur në skuadër Gigio e tundon fort. Nëse PSG do të pranonte një shifër jo të lartë (25-30 milionë euro), anglezët mund të hidheshin në sulm menjëherë, përndryshe do të fillonin manovrat për ta siguruar si lojtar të lirë.

Ndërkohë, klubet italiane mbeten në pritje. Rikthimi i Donnarumma në Serie A me parametër zero do të ishte një mundësi e artë për shumëkënd, edhe pse paga prej 12 milionë eurosh neto në sezon është ndoshta pengesë shumë e madhe për të gjithë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit