Ndeshja mes Elbasanit dhe Flamurtarit, por jo vetëm, është një pasqyrë e qartë e realitetit të trishtueshëm ku po shkon futbolli shqiptar. Në një kampionat që mban emrin “Kategoria Superiore” e Shqipërisë, në fushë nga minuta e parë, secila skuadër kishte vetëm nga 4 lojtarë shqiptarë. Të gjithë të tjerët të huaj (përfshirë dhe dy trajnerët).
Në rastin e Elbasanit, emra si Lulaj, Trashi, Musta dhe Lila ishin të vetmit përfaqësues vendas në formacion, ndërsa te Flamurtari emra si Martines Rodrigues, Ememe, Veiga, Nunes Morales e shumë të tjerë vijnë nga jashtë, duke lënë vend për vetëm 4 shqiptarë titullarë startues. Pra, në një fushë me 22 futbollistë, vetëm 8 ishin shqiptarë startues, diçka më shumë se gjysma e një skuadre.
Duket e pakuptimtë që në një kampionat të quajtur shqiptar, lojtarët vendas po kthehen në pakicë. Ky është një sinjal alarmi serioz. Ku po shkojmë me këtë model? Si do të rriten e formohen të rinjtë tanë, që merren ende me këtë sport?
Çfarë shprese mund të ketë një futbollist shqiptar 18-19 vjeç, më të rinjtë jo e jo, kur klubet tona i mbushin formacionet me të huaj, të njohur e të panjohur? Shumë prej këtyre lojtarëve të huaj nuk sjellin as nivel cilësor më të lartë, por thjesht zënë vendin e talenteve vendas. Klubeve iu intereson më shumë një afrikan apo amerikano-latin anonim, sesa t’i japin besim një djaloshi shqiptar, që ka djersitur përditë e pa fund, edhe duke paguar shumë në akademitë e tyre.

Në këtë mënyrë të hapjes totale karshi të huajve, pa asnjë kufizim, futbolli shqiptar po “pret rrënjët e veta”. Kombëtaret e të gjitha moshave do ta vuajnë këtë “pushtim” të huajsh çdo vit e më shumë, sepse do të mungojnë lojtarët e formuar në vend. Sot kemi një brez të artë në kombëtaren e madhe, që na bën krenarë, por kush do t’i pasojë në vazhdim, nëse të rinjtë nuk kanë mundësi të luajnë në Superligë?
Ky nuk është thjesht një problem sportiv, por edhe dramë sociale. Fëmijët shqiptarë që ëndërrojnë të bëhen futbollistë, shohin se rruga e tyre mbyllet që në “portën” e parë, klubet e qytetit të tyre, madje të akademisë ku kanë derdhur djersë më kot, ku kanë paguar çdo muaj 100 e më shumë euro. Kjo është një goditje e rëndë për vetë besimin te futbolli ynë.
Nëse nuk ndryshohet politika e federatës (e cila hoqi kuifizimin përkatës) dhe e klubeve, nëse nuk vendosen rregulla të qarta për numrin e të huajve në formacion, shumë shpejt kampionati ynë do të kthehet në një kompeticion pa identitet, ku vetëm emri i tij do të jetë shqiptar, por fusha do të mbetet e lojtarëve të huaj.
Ky realitet i hidhur po shtrihet me shpejtësi edhe në Kategorinë e Parë, madje dhe të dytën e ekipet e moshave, ndaj kërkon debat urgjent: A duam kampionat shqiptar për shqiptarët, apo një arenë importi pa “rrënjë” e pa të ardhme të futbollit kombëtar?






